Kryeministri Edi Rama ka inspektuar nga afër qendrën shëndetësore nr.10 në Tiranë, e cila është ndërtuar gjatë fazës së parë të Programit Kombëtar të 300 qendrave moderne shëndetësore në vend. Faza e dytë nis këtë vit me 100 qendra të tjera. Në fjalën e tij, Rama tha se kushtet që gjejnë pacientët në këtë qendër janë moderne dhe të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme. Gjithashtu Rama nuk kurseu as batutat me doktorët dhe infermierët e kësaj qendre. “E paskeni bërë derën për Erion Bracen”-tha kryeministri ndërsa takoi pacientët e pranishëm në ambientet e qendrës. Për pacientët kjo qendër ka pësuar një transformim rrënjësor. “Qendrat shëndetësore kanë qenë copë-copë, tani kjo është një gjë tjetër”, tha mes tjerash Rama. Kreu i qeverisë shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.