Këshilli i Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO) ka publikuar një raport në lidhje me korrupsionin, ku Shqipëria ka mundur të përmbushë plotësisht vetëm katër nga dhjetë pikat e rekomanduara. Grupi i Këshillit të Europës thotë se konfliktet e interesit duhet të deklarohen nga deputetët kur ato lindin. Gjithashtu konstatohet se kontaktet e deputetëve me palët e treta gjatë procesit legjislativ duhet të raportohen, regjistrohen dhe të bëhen publike, pra duhet më shumë transparencë.
GRECO thekson se duhet të ketë më shumë qartësi në lidhje me zbatimin e këtyre rregullave dhe sanksioneve në rast të shkeljes, të cilat nuk përmenden shprehimisht në tekstin e Kodit të Sjelljes të deputetëve që u mirtua tre muaj më parë dhe nënvizon nevojën për një mekanizëm zbatimi, duke përfshirë sanksionet, për të bërë kodin efektiv.
Në raport flitet dhe në lidhje me gjyqtarët. “Një reformë e madhe gjyqësore është në proces që nga viti 2014 dhe kështu është një proces verifikimi për gjyqtarët me qëllim luftën kundër korrupsionit në gjyqësor,” thuhet në analizë. GRECO përshëndet që, si pjesë e paketës së reformës, roli i Presidentit të Republikës është kufizuar në emërimin formal të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë me propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i përbërë nga një shumicë e gjyqtarëve të zgjedhur nga kolegët e tyre.
Sapo të përfundojë reforma sugjeron GRECO, funksionimi i administratës gjyqësore nuk duhet të jetë më përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, por e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe se Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të jetë përgjegjës për vendosjen e standardeve etike dhe monitorimin e tyre.