INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Raporti i frikshëm i DASH për Shqipërinë, korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisjes

Raporti i frikshëm i DASH për Shqipërinë, korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisjes

Publikuar më: 09:31 29-03-2019

Korrupsioni është i shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes. E ky fakt e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotikëve dhe fshehjen e krimeve financiare.

Këto konkluzione iu paraqitën të enjten, 28 mars 2019, Kongresit Amerikan përmes një raporti me dy vëllime të përpiluara nga DASH me nëntitullin “Raporti strategjik i luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve”.

Korrupsioni zyrtar, thuhet aty, është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar.

Sipas raportit, përpjekjet për të çrrënjosur kanabisin dhe ndjekur penalisht kultivuesit e tij kanë qenë të gjera, por jo kudo njëlloj, dhe ndërhyrja në infrastrukturën e trafikimit të drogës që është krijuar gjatë dy dekadave përbën një sfidë.

Raporti thotë se shkalla e lartë e papunësisë dhe sundimi i dobët i ligjit kanë krijuar një ambient ideal për grupet e krimit të organizuar që shkaktojnë problemin e kontrollit të drogës në Shqipëri.

Në pjesën për Shqipërinë, DASH thotë se ky vend mbetet një vendburim për prodhimin e kanabisit si dhe ka marrë rolin e një nyje tranzitore për kokainën dhe heroinën me prejardhje nga Amerika Jugore dhe Azia.

Në këtë raport që mbulon vitin 2018, Departamenti i Shtetit thotë se tranziti i kanabisit si dhe i drogave të forta komandohet kryesisht nga elementë të krimit të organizuar që transferojnë droga të paligjshme nga vendet burim për në tregjet evropiane.

Vëllimi i konfiskimeve të drogës dhe arrestimet e lidhura me drogën në vitin 2018, thuhet në raport, ishin me rëndësi, të nxitura kryesisht nga bashkëpunimi i organeve ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë, presioni ndërkombëtar në rritje dhe përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Europian.

Sipas raportit, roli i Shqipërisë si burim apo treg për droga të paligjshme përtej kanabisit është i vogël, por ka pasur një rritje në konfiskimet e kokainës që kalon nëpër Shqipëri për në Europë, përveç zbulimit të laboratorëve të përpunimit të heroinës dhe kokainës në Shqipërinë veriore dhe qendrore. “Grupet kriminale shqiptare e trafikojnë kokainën dhe heroinën drejt tregjeve evropiane nga vendet burimore në Amerikën e Jugut dhe Azi.”

Në raport thuhet se korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotikëve.

PASTRIMI I PARAVE

Në pjesën e raportit për pastrimin e parave, Departamenti i Shtetit thotë se gjatë vititt 2018 qeveria e Shqipërisë nuk bëri përparim të rëndësishëm për parandalimin e pastrimit të parave dhe krimeve financiare. Si shkak për këtë, raporti e ve gishtin te korrupsioni, rritja e rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucionet e dobëta ligjore dhe qeveritare.

Në raport thuhet se ekonomia e vendit operon në masë të madhe me cash dhe në mënyrë informale, me hyrje të konsiderueshme të parasë nga jashtë në formë të dërgesave të emigrantëve. Krimet që gjenerojnë më shumë para në Shqipëri janë trafikimi i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda, sipas DASH.
Elementë të tjerë me rëndësi në këtë aspekt, sipas raportit, janë falsifikimi, kontrabanda e armëve dhe trafikimi i qenieve njerëzore, shkruan “Zëri i Amerikës”.

Article Logic
Execution time: 0.0036299228668213