INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Raporti i KLSH: “Ambasadat shqiptare shpenzime luksi. Bushati paguan dy drejtorë për 1 vend pune”

Raporti i KLSH: “Ambasadat shqiptare shpenzime luksi. Bushati paguan dy drejtorë për 1 vend pune”

Publikuar më: 18:18 11-11-2017

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar shpërdorime të fondeve publike për shpenzime të konsideruara luksi në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Nga raporti i KLSH rezulton se ambasadat shqiptare në Paris, Berlin, Lubjanë, Zagreb dhe Prishtinë, me miratimin e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, kanë blerë makina në shkelje të rregullave për kryerjen e procedurave të prokurimit publik. Blerje abuzive të makinave kanë bërë edhe përfaqësitë tona diplomatike në Stokholm, Varshavë, Bari, Pragë, Misioni në BE, Bukuresht, Sofje, misioni në NATO dhe Bruksel. Përveç shkeljeve të procedurave, blerja e makinave të reja nuk justifikohet me nevojën e ambasadave, për shkak se shumica prej tyre rezultojnë se kishin blerë automjete pak kohë më parë. KLSH ka konstatuar edhe shkelje të çuditshme, ku një makinë është blerë me çmim më të lartë se sa vlera e ofertës. Për këtë KLSH sjell një shembull me ambasadën e Parisit ku fondi limit i miratuar dhe oferta fituese e miratuar është 31,548 euro, kurse vlera e blerjes sipas inventarit është 32,329.64 euro. Vlera e ofertës është tejkaluar me 781.64 Euro.

Dy drejtorë për 1 vend pune

Një tjetër shkelje që është vrejtur nga raporti i auditivit të KLSH-së në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme është fakti se dy drejtorë janë paguar për të njëjtin vend pune dhe në të njëjtën periudhë kohore. Sipas raportit për detyrën e drejtores së Drejtorisë së Brendshme në Ministrinë e Jashtme, janë paguar dy punonjës. “Në MPJ, në strukturën organike me detyrën e Drejtores së Drejtorisë së Brendshme janë paguar dy punonjëse, pasi ish drejtori është larguar nga detyra përkatëse, e cila me vendim gjyqësor ka fituar të drejtën për tu kthyer në detyrë, gjë e cila nuk është realizuar nga kjo ministri dhe është emëruar si audituese.
Emërimi është si audituese kurse paga i llogaritet në pozicionin e Drejtores duke i dhënë diferencën, ku për këtë periudhë kohore ka marrë shtesën neto prej 1,101,609 lekë”, thuhet në raport. Sipas KLSH, po në vazhdim të kësaj periudhe është emëruar Drejtorja e Drejtorisë së Auditit të Brendshëm, në kundërshtim me ligjet nr. 9720, datë 23.4.2007“Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, pasi në momentin e emërimit si drejtuese e njësisë së auditit të brendshëm nuk plotëson njërin nga dy kushtet e posaçme, sepse nuk ka përvojë pune 5 vjet si auditues i brendshëm ose i jashtëm si rezultat është kryer një shpenzim prej 1,101,466 lekë pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet të fondeve publike.

 

Article Logic
Execution time: 0.0038778781890869