INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Raporti i OSBE-së për zgjedhjet, reagon ashpër LSI-ja ndaj kryeministrit Rama

Raporti i OSBE-së për zgjedhjet, reagon ashpër LSI-ja ndaj kryeministrit Rama

Publikuar më: 18:52 28-09-2017

Pas tre muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, OSBE/ODIHR ka publikuar sot raportin përfundimtar mbi këtë proces. Në raport evidentohen disa probleme, ku më kryesori mbetet shit-blerja e votës dhe politizimi i administratës. Po ashtu, në kuadër të rekomandimeve, sugjerohet që të bëhen ndryshime në kodin zgjedhor, në mënyrë që t’i hapet rrugë emërimeve jopartiake të komisionerëve në zgjedhje.

Sipas OSBE/ODIHR, është me rëndësi që partitë politike të mos pranojnë mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale.

Ndërkohë që kryeministri Rama e cilësoi këtë si një raport të mirë, i cili flet për përmirësime në procesin zgjedhur, nuk qëndrojnë në të njejtën linjë Petrit Vasili dhe Klajda Gjosha të LSI-së.

Ish ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha,  ka reaguar nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale në lidhje me raportin e OSBE-ODHIR. Ajo shkruan se në këtë raport gjithçka rrotullohej mes parregullsive  dhe  rekomandimeve për zgjedhjet, ndërkohë që Edi Rama tregon se këto zgjedhje ishin më të mirat që ka pasur Shqipëria.  Mes të tjerash Gjosha shkruan se edhe pas 27 vitesh demokraci shqiptarët janë ende në përpjekje për të votuar të lirë.

“Fatkeqësisht cfarë do lloj reforme zgjedhore të ndërmarrim ne, do të duhej më parë të ndryshonim mentalitetin politik i cili mendon se paraja mund të blej cdo gjë, se presioni që vjen si koncept diktatorial nuk shkon më ne Shqipërinë europiane te 2017-tës!”, shprehet ish Ministrja e Integrimit.

Në përfundim të statusit të saj Gjoshaj thotë se mentalitetet nuk ndryshojnë as me Marrëveshjet e Errësirës që gjoja do t’i jepnin Shqipërisë një standard tjetër!

Pas reagimit të ish Ministres së Integrimit Klajda Gjosha, një tjetër eksponent i LSI, Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka reaguar pas publikimit të raportit të plotë të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Ai e quan kryeministrin të paaftë për të kuptuar pasi edhe pse raporti i OSBE-ODHIR thotë se zgjedhjet ishin copë-copë, ai është i kënaqur me këto zgjedhje.

Nëpërmjet statusit në rrjetin social Petrit Vasili thotë se Rama s ka turp që gënjen përpara Parlamentit duke thënë se OSBE ishin të kenaqur me zgjedhjet.

“Dihet që shkollëpaku nuk ia thotë hiç të lexojë asgjë dhe me siguri që ndonjë nga këta “ustallarët”, që ia dinë huqin, i zhgarravisin disa fjalë që atij i pëlqen t’i brroçkullisë lart e poshtë”, shkruan Vasili.

“Zgjedhjet e 25 qershorit ishin një turp që OSBE e vulosi e zeza mbi të bardhë”, përfundon kryetari i LSI-së.

Article Logic
Execution time: 0.0038259029388428