Çështja e trukimit të ndeshjeve shkon në organin e akuzës. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar sot procedimin penal për çështjen “Skënderbeu”, e cila do të hetohet nga njësia Task Forcë mbi dyshimet për paracaktim të rezultateve në garat sportive.
Në raportin e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës përmendet emri i ish-ministrit Ridvan Bode, presidentit aktual Agim Zeqo dhe ish-presidentit Ardjan Takaj. Prokuroria i ka marrë dosjet e çështjes në fjalë nga UEFA që në nëntor të vitit 2013.
“Sistemi i Detektimit të Mashtrimeve të Basteve, me saktësi ka konfirmuar para panelit se klubi Skënderbeu ka qenë i përfshirë vazhdimisht në aktivitete manipulimesh rezultatesh në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare në 6 vitet e fundit”, thuhej në raportin e UEFA-s.
“Sistemi arrin në konkluzionin se të paktën numri në vijim i ndeshjeve është manipuluar për qëllime fitimit të paligjshëm nëpërmjet basteve: 5 ndeshje të Ligës së Kampioneve, 2 ndeshje të Europa Ligë, 41 ndeshje të Kampionatit Shqiptar dhe Kupës së Shqipërisë si dhe 6 ndeshje miqësore”, vijonte raporti në fjalë.