INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Raporti italian: Trafikantët shqiptarë, rrjet i gjerë droge në Itali

Raporti italian: Trafikantët shqiptarë, rrjet i gjerë droge në Itali

Publikuar më: 17:25 06-07-2018

Trafikantët shqiptarë janë ndër zotëruesit kryesorë të tregjeve ilegale të lëndës narkotike. Është ky përfundimi i raportit të prezantuar në Parlamentin italian, që tregon se ka rikthim të heroinës në tregun e konsumatorëve të drogës në Itali, rritje të numrit të viktimave nga përdorimi i saj, si dhe konfirmim të zotëruesve kryesorë të drogës që janë shqiptarët. Sipas Drejtorisë së Përgjitshme të Antidrogës Italiane, marijuana vazhdon të trafikohet përmes Adriatikut siç e dëshmojnë operacionet e shumta të sekuestrimit të saj në det. Ndërkohë, e përditshmja "La Repubblica", shkruan se trafikantët shqiptarë gjatë vitit 2017, kanë pasur një rritje të cilësisë së veprimit dhe shtim të aktivitetit të tyre, falë aftësive operative në terren. Referuar raportit, trafikantët shqiptarë administrojnë një rrjet të gjerë të trafikut të lëndëve narkotike në të gjithë territorin italian, me një rol drejtues në grupet kriminale. Antidroga në Itali theksoi se ka shtim të sasisë së heroinës në territor, me rritje 27.95 % të sasisë së heroinës së sekuestruar në krahasim me një vit më parë. Raporti thekson se numri i viktimave nga mbidoza është rritur me mbi 9.7%. Gjatë vitit 2017 është rritur gjithashtu dhe konsumimi i marijuanës. Operacionet antidrogë kanë dëshmuar rritje me mbi 117.6% të sasisë së kësaj droge të sekuestruar në krahasim me vitin 2016. Ulje ka pësuar konsumimi i kokainës, ku sekuestrimet policore janë reduktuar me 12.88% për shkak të ndryshimit të rrugës së trafikimit të saj përmes porteve kryesore të Europës Veriore. Antidroga italiane ka dhënë një tjetër alarm shqetësues për shfaqjen e një fenomeni të ri mjaft i rrezikshëm për konsumatorët e drogës. Bëhet fjalë për tregtimin e një përbërjeje vegjetale të kanabisit industrial,  mjaft i rrezikshëm për shëndetin e përdoruesve.

 

 banda.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0036230087280273