Ndotja e ajrit është një ndër problematikat më shqetësuese në mbarë botën, për vetë faktin se qindra njerëz po vdesin për shkak të ndotjes së ambientit në të cilin jetojnë.
Sipas raportit të vitit 2016 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë “Ndotja e Ajrit e Ambientit: Një vlerësim global dhe pesha e sëmundjeve”, 92% e popullsisë botërore jetojnë në zona ku niveli vjetor i ndotjes është më i lartë se normat e përcaktuara nga OBSH.
Për sa i përket Shqipërisë duke iu përmbajtur statistikave të raportit të OBSH-së, vendi ynë është ndër 15 vendet e para për numrin më të lartë të vdekjeve nga ndotja e ajrit për 100 mijë banorë. Rreth 780 persona kanë vdekur si pasojë e atakut në zemër.
Ndërsa në total në Shqipëri ka pasur 1.842 vdekje për shkak të sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit. Për këtë statistikë renditemi në vendin e 3-të ndër vendet e Ballkanit Perëndimor të anketuara.
Ndërkaq, edhe faqja e sondazhe të perceptimit, “Numbeo”, e rendit Shqipërinë ndër vendet me ajrin më të ndotur në rajon.
Ndotja në Shqipëri
Sipas sondazheve të mbledhura këto 3 vitet e fundit, “Numbeo” e rendit në vendin e të dytë të perceptuar më ajrin më të ndotur në rajon. Ndërkaq për Shqipërinë ka pakënaqësinë më të madhe në rajon për sa i përket trajtimit të mbetjeve. Gjithashtu vendi ynë perceptohet si vendi më ndotjen më të madhe të ujit te pijshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe i dyti në Ballkanin Perëndimor për papastërti.
Ndotja në Tiranë
Pas kryeqytetit maqedonas Shkupi dhe kryeqytetit boshnjak Sarajeva, kryeqyteti shqiptar Tirana, sipas “Numbeo”-s, perceptohet si një ndër kryeqytetet më ajrin më të ndotur në rajon. Gjithashtu sondazhi e ka vlerësuar ndotjen e ajrit të Tiranës si të lartë. Po kështu Tirana është kryeqyteti i dytë në rajon, pas atij maqedonas të Shkupit, me vlerësimin më të keq si për trajtimin e mbetjeve ashtu edhe për papastërtinë. Ndërkaq, sipas “Numbeo”-s, për Tiranën të anketuarit kanë shprehur nivelin më të lartë të pakënaqësisë për sa i përket gjelbërimit dhe parqeve në këtë qytet.