Kosova ende nuk e ka njoftuar zyrtarisht Malin e Zi për përfundimin e procedurave të brendshme sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit.
Pavarësisht se Kuvendi i Kosovës më 21 mars të këtij viti e ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin, në Qeverinë e Malit të Zi thonë së nuk kanë asnjë njoftim zyrtar nga institucionet e Kosovës.
Në përgjigjen e Qeverisë së Malit të Zi thuhet:
“Presim që Republika e Kosovës zyrtarisht ta informojë Malin e Zi për përfundimin e procedurave të saj të brendshme të nevojshme për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, duke pasur parasysh se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes”.
Për faktin se ende nuk është njoftuar Mali i Zi, zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj ka thënë se ky veprim është çështje procedurale.
Pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, pritet që të krijohet një grup i përbashkët pune, i cili do të jetë përgjegjës për të kryer shënimin e kufirit shtetëror mes të dyja shteteve.
Kosova dhe Mali i Zi, kanë nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit në Vjenë të Austrisë në vitin 2015.Mirëpo deri te ratifikimi i saj në Kuvend, Kosova kaloi nëpër trazira të ndryshme.