Marrëveshja e re diplomatike midis Kosovës dhe Shqipërisë, ka ngjallur reagime nga ana e Ministrisë së Jashtme ruse.
Sipas agjensisë së lajmeve ruse Tass, Moska ka bërë me dije se është e shqetësuar për marrëveshjen që Shqipëria dhe Republika e Kosovës kanë bërë për të unifikuar misionet e tyre diplomatike, konsullatat dhe ambasadat në vendet e treta.
Këtë lajmërim Ministria e Jashtme ruse e bëri me dije ditën e sotme.
Ministria e Jashtme ruse theksoi se me këtë mosreagim, SHBA dhe BE po inkurajojnë ndjenjën e Shqipërisë së Madhe.
Deklarata e Ministrisë së Jashtme ruse:
‘Hapat provokative nga Tirana dhe Prishtina, të cilat janë në përputhje me konceptin e Shqipërisë së Madhe, shkaktojnë shqetësim serioz. Ne duam të theksojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian preferojnë të mos reagojnë ndaj lëvizjeve të tilla shkatërruese, duke inkurajuar vërtet ndjenjën e Shqipërisë së Madhe që është e dëmshme për rajonin’, tha në deklaratën e saj Ministria e Jashtme e Federatës Ruse.