INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Reagon Xhafa: “Akuzat ndaj meje shpifje të ulëta, të fabrikuara nga kundërshtarët politikë”

Reagon Xhafa: “Akuzat ndaj meje shpifje të ulëta, të fabrikuara nga kundërshtarët politikë”

Publikuar më: 18:06 20-03-2017

I përzgjedhuri për detyrën e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, ka vendosur të reagojë pas akuzave të fundit të bëra publike kundrejt tij. Xhafa i konsideron akuzat e ditëve të fundit si “shpifjetë ulëta të fabrikuara kundër tij”. 

‘Kjo deklaratë nuk do të kishte qënë e nevojshme nëse gjatë ditëve të fundit, për shkak të detyrës që më ka besuar Kryeministri, mbi personin tim nuk do të kishte nisur një fushatë shpifjesh dhe balte. Të gjithë ata që më njohin personalisht mua dhe familjen time, por edhe të gjithë ata që me mua kanë patur thjesht një raport profesional, e kanë plotësisht të qartë se akuzat e ditëve të fundit janë vetëm shpifje të ulëta, të fabrikuara dhe pa asnjë lidhje me realitetin”-reagon Fatmir Xhafa. Më tej ai rendit faktet se përse e pa të arsyeshme të bënte publike për shqiptarët të dhëna që lidhen me profesionin e tij duke shtuar se “Nuk ka shërbyer në strukturat e Sigurimit të Shtetit”.
“Unë jam i bindur se çdo person që përzgjidhet për të kryer detyrën e Ministrit të Brendshëm, ka detyrim përpara publikut, për të bërë transparencë të plotë mbi çdo aspekt të jetës së tij profesionale, personale apo familjare. Por jam po ashtu i bindur se, në emër të së drejtës së opozitës për të informuar, askush nuk duhet të shtrembërojë, fabrikojë, apo falsifikojë fakte që lidhen me jetën dhe figurën e çdo qytetari, qoftë ky edhe kandidat për tu emëruar Ministër i Brendshëm”-shprehet deputeti I Partisë Socialiste. Deputeti thotë se në vitin 1982 ka përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Tiranës. Në shtator të atij viti është emëruar Këshilltar Ligjor pranë Zyrës së Ndihmës Juridike në Gjykatën e rrethit Krujë, ndërsa në maj 1983 është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën e rrethit Krujë. “Në qershor 1984 krijohet për herë të parë organi i hetimit penal, si institucion i veçantë dhe i pavarur nga institucione të tjera, pjesë e organeve të sistemit të drejtësisë të asaj kohe pranë prokurorive të rretheve, tërësisht i ndarë nga organet e hetimit të Ministrisë së Brendëshme. Po atë vit, në qershor, më emëruan në punë pranë këtij organi. Në fund të vitit 1985 jam larguar përfundimisht nga puna në organet e sistemit të drejtësisë në moshën 26-vjeçare. Sikurse del qartë nga këto fakte, asnjë ditë të jetës sime nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe dhe as në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme”-sqaron Xhafa. Sipas tij në media, janë përfolur gjëra absurde që nuk kanë të bëjnë fare me personin e tij. Ai rrëzon pretendimet e personit që pretendon se e ka dhunuar duke deklaruar se “në vitin 1986, e paskam dhunuar apo torturuar, vit në të cilin, unë nuk kam qënë fare në punë në organet e drejtësisë të asaj kohe. Në Janar të vitit 1986 kam filluar punë si drejtues i rinisë në Tiranë dhe ky fakt është i dokumentuar”. Xhafa deklaron se edhe pretendimet e një zonje për dhunë ndaj saj dhe vëllait të saj në një proces penal të kohës janë të pavërteta. “Sa unë jam në dijeni, kjo çështje penale është gykuar dhe përfunduar në fundin e vitit 1986, periudhë kur unë nuk isha më pjesë e sistemit të drejtësisë. Të gjitha këto fakte të cilat jam i detyruar t’i ndaj sot me publikun, më bëjnë të ndihem i keqardhur për mënyrën se si dy individët që kanë ngritur akuza ndaj meje janë keqpërdorur nga porositësit e tyre”-reagon i përzgjedhuri në postin ministror nga kryeministri Rama. Më tej ai shton se “opozita ka zgjedhur për të përdorur historitë e dy emigrantëve, të cilët i ka kthyer në dëshmitarë të rremë, për të provuar një akuzë të rremë, në sallën e gjyqit të rremë të organizuar në selinë e re të Partisë Demokratike”.

Duke vijuar më tej Xhafa drejton gishtin nga kundërshtarët e tij politikë duke u shprehur se “akuzat e tyre publike janë pjesë e lojës së ulët politike”, ndërsa thotë se ndjen keqardhje për fakti se kryetari i ri i partisë më të madhe opozitare, ripërtyp në publik akuza e shpifje të moçme të shefit të tij politik, në adresë të familjarëve të tij. “Këto akuza e shpifje i kanë kaluar të pesëmbëdhjetë vjetët dhe e kanë marrë përgjigjen më shumë se një herë. Ato riaktivizohen sa herë më besohet një detyrë me rëndësi, njësoj si herën e fundit gjatë kryerjes së funksionit të kryetarit të komisionit parlamentar të Reformës në Drejtësi”. Deputeti Xhafa tregon se akuzave që riaktivzohen herë pas here nga kundësrshtarët politikë u ka dhënë përgjigje 7 vjet më parë në parlament, ndërsa ka ftuar publikisht qeverinë e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha që të hetonte çështjen. “I kujtoj liderit të Partisë Demokratike dhe i mësoj kryetarit aktual të saj, se në tetor 2010 kam bërë një deklaratë në Parlament lidhur me baltën e hedhur në mënyrë sistematike ndaj meje dhe e kam ftuar publikisht qeverinë apo grupin parlamentar të Sali Berishës të hetojë për çështjen në fjalë dhe akuzat lidhur me personin tim”-reagon Xhafa.

Article Logic
Execution time: 0.003777027130127