Reali i Madridit thyen Barcelonën dhe rihap garën për titull në La Liga.
Në “Clasico”-n e javës së 31-të, “Galaktikët” triumfuan 2-1 në “Kamp Nou” duke e ndalur në 39 serinë e ndeshjeve pa humbje për katalanasit.
Pas një pjese të parë me rrjeta të paprekura, vendasit gjetën epërsinë në të 56-n me qendërmbrojtësin Pike, i cili me kokë mposhti Kejlor Navasin pas një krosi nga këndi.
Por buzëqeshja e blaugranave zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi Reali riktheu baraspeshën me një supergol të Benzemasë.
Edhe pse me një lojtar më pak pas përjashtimit të kapitenit Serxho Ramos me karton të kuq (84’), ekipi i Zidanit gjeti forcë dhe në minutën pasardhëse realizoi golin e triumfit me Kristiano Ronaldon.
Sukses i çmuar ky për “Los Blancos”, të cilët e ngushtojnë në -7 diferencën e pikëve me Barçën kryesuese, kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje deri në fund të kampionatit. Mes dy rivalëve të vjetër gjendet Atletiko Madridi, që ka një pikë më tepër se “kushërinjtë” e Realit.