INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Reforma në drejtësi, debat i ashpër në parlament

Reforma në drejtësi, debat i ashpër në parlament

Publikuar më: 13:32 23-06-2016

Edhe pse u shty dhe këtë senacë votimi për reformën në drejtësi, të majtë e të djathtë u përfshinë në debate të ashpra. Deputeti socialist Pandeli Majko duke iu drejtuar opozitës tha se përveç nenit 88 për zgjedhjen e drejtuesve në katër institucione tashmë po kundërshton edhe vetingun nga ndërkombëtarët dhe propozoi që këto dy çështje të shtrohen në referendum. Majko ndali dhe në avantazhet dhe disavantazhet e referendumit.

Pandeli Majko tha: “Ish-kryetari mendon se vetingu, verifikimi i aftësive, pasurisë dhe lidhjeve me botën e krimit të prokurorëve dhe gjykatësve të mos e bëjnë ndërkombëtarët. Troç! Ju tani na thoni që këtë doni ta bëjmë me ndërkombëtarët apo me të tuajët. Për kë shumicë të cilësuar nuk kemi rënë dakord ne? Na thoni? Ne nuk e sjellim dot në referendum sepse duhen edhe votat tuaja, duhen 94 vota. Ndajeni mendjen vetingun doni të bëjnë ndërkombëtarët apo partitë politike. A ka mundësi ta thoni si e doni. Hajt të shkojmë në referendum e ta vendosë populli Vetingun do e bëjmë me ndërkombëtarët, po apo jo?”

Ndërsa Kreu i Komisionit për reformën në drejtësi, Xhafaj i PS qartësoi se opozita nuk është përjashtuar nga proçesi, por e ka bojkotuar atë.
“Opozita për 9 muaj nga koha e krijimit të komisionit për reformën në drejtësi, nuk ka marrë pjesë. Gjatë gjithë kësaj periudhe e ka penguar me lloj-lloj largimesh dhe justifikimesh. Asnjë reformë pa konsensus nuk qenka bërë në këtë vend. Dëshiroj t’i kujtoj dy ndërhyrje të mëdha për kushtetutën. Po ka një ndërhyrje e cila ne nuk na bën krenare, e 2008. Venecia e hodhi poshtë, tashti ka ca gënjeshtra që është keq kur fillon i beson edhe vetë. Kur të mbarojë ky proçes le të bëjë një analizë kushdo, sesi ka qenë propozimet që kanë shkuar në Venecia dhe cili është drafti final. Po turp keni? Nuk ndiheni keq nuk ndiheni ligësht nga kjo histori. Thoni me 3/5  e kap Edi Rama. Po mirë aritmetikë dini ju?”  tha Xhafaj.

Po këtu ndërhyu Bylykbashi i PD i cili theksoi, se  neni 88 thotë që 4 institucione të garantojnë një gjë, përfaqësimin e opozitës, kjo pasi Komisioni i Venecias e sheh si të vetmen garanci që mazhoranca të mos marrë kontrollin e drejtësisë.

Po Xhafaj e politizoi më shumë çështjen kur iu përgjigj: “Strukturat antikorrupsion ka prishur gjumin e disave. Gjykatë e posaçme antikorrupsion pasi kanë kaluar procesin e Vetingut, Prokurori të Posaçme antikorrupsion pasi kanë kaluar procesin e Vetingut. Njësi të posaçme hetimore për luftën kundër korrupsionit dhe për kë? Jo për qytetarët, por për zyrtarët të të gjitha ngjyrave. Për të gjithë. Miratojeni, nëse keni merak këtë shqetësim. Por shqetësimi i vërtetë ju e dini ku është.”

Më pas ka ndëryrë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzoi Ramën se do të kapë drejtësinë. Berisha tha se ky sistem ka nevojë për t’u reformuar po forcat regresiste duan ta fusin në kthetrat e tyre.

Berisha tha: “Shqiptarët po shohin çdo ditë forcat regresiste që duan ta përdorin reformën për të futur drejtësinë në kthetrat e tyre. Ky qëllim ogurzi ishte shkaku i kundërshtimit të opozitës që ditët e para të fillimit të reformës. Në kohën kur opozita ofronte pjesëmarrjen e saj ishte kryeministri i vendit ai që refuzonte dhe që iu thoshte të huajve se fjala konsensus në fjalorin e shqiptarëve nuk ekziston. Pavarësisht nga ky qëndrim, pavarësisht se në historinë e këtij vendi përveç njërës që dështoi reformat nuk ishin bërë pa konsensusin e dy palëve. Po ç’bëri opozita, opozita shpëtoi reformën. E kuptoi se Edi Rama me reformë kupton kthetrat e tij të zeza mbi drejtësinë. Nënkupton deklarimin e tij vetë kryeprokuror, vetë kryegjykatës, vetë kryehetues.”

Në debatin e nxehtë u përfshi dhe Deputeti Ben Blushi, i cili këmbënguli se reforma në drejtësi nuk do të mbrojë interesat e të varfërve, por interesat e palëve të vogla.
Sipas tij Shqipëria po i largohet më shumë drejtësisë dhe hartuesit kanë hartuar një proçes të mbyllur.
Ai bashkë me deputeten, Mimoza Hafizi ka dorëzua dhe një amendament, që presidenti të zgjidhet me votat direkte të popullit

Ben Blushi tha: “Unë nuk jam i bindur sot nëse po i afrohemi apo jo reformës në drejtësi, po ne po kërkojmë konsesus me palën minoritare dhe nuk po gjejmë konsensus me palën mazhoritare! Pandi (Majko), me të varfërit, me ata që rropaten çdo ditë. Absolutisht s’po i pyesim ata. Edhe nëse këtu do gjendet konsensus, dy palë që bëjnë një palë gjejnë interes për interesat e përbashkët, por këto janë palë që përfaqësojnë të pasurit e Shqipërisë. Kush i përfaqëson të varfrit?! Rilindja?! Asnjë ditë s’i ka përfaqësuar. Po të dhunuarit? PD-ja?! Asnjë ditë s’i ka përfaqësuar. Populli shqiptar nuk po pyetet, interesat e tij nuk janë përfaqësuar asnjë ditë. Produkti do të jetë një produkt i panjohur burokratik për shumicën e shqiptarëve. Në 18 muaj askush nuk u përpoq t’ia shpjegonte shqiptarëve çfarë është Reforma në Drejtësi? Pse dhe ku ndryshon struktura e re nga e vjetra? Çfarë janë këto kode, i di njeri? BKH?! Pyesni 90% të shqiptarëve çfarë domethënë KLP, KLGJ, SPAK, etj. A e dinë shqiptarët ç’janë këto?!
Unë them që nuk i dinë Fatmir (Xhafaj), sepse keni bërë një proçes hermetik. Kjo reformë nuk do të ndihmojë të varfërit. E kam propozuar në parim ndryshimin kushtetues për një President nga populli në 2007. Në atë vit Saliu dhe Edi i dytë dhe produkti i parë i Rilindjes, Bamir Topi, të tre këta nuk donin një president nga populli sepse asnjëri nuk do e zgjidhte Bamirin dhe as tjetri nuk do e kishte shok. Nuk kam gjë me Bamirin, por flas për fenomenin. Sot kam vendosur të sjell një amendament së bashku me kolegen time, Hafizi, sipas së cilit Presidenti i Republikës së Shqipërisë të zgjidhet me votë direkte nga shumë shqiptarë.  Ka ardhur koha ta bëjmë dhe ne në Parlament një gol si ato në Francë.”

Article Logic
Execution time: 0.0041239261627197