INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Reforma në Drejtësi, debati Rama-Basha vijon. Meta ndërhyn…

Reforma në Drejtësi, debati Rama-Basha vijon. Meta ndërhyn…

Publikuar më: 15:26 15-07-2016

Debatet mes të majtëve dhe të djathtëve për reformën në drejtësi janë ende të nxehta. Kryeministri Rama në një dalje publike tha se PD-ja zhgënjeu ndërkombëtarët.

Ja ç’ka thënë Rama:
“PD refuzoi edhe formulën e propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Nuk u befasova unë dhe nuk u befasua askush që e di mirë se në ç’bark është lepuri i trembur nga drejtësia, frika. Po sigurisht u befasuan dhe zhgënjyen aleatët e Shqipërisë, të cilët janë investuar masivisht si kurrë më parë për një reformë në Shqipërinë e çerekshekullit të fundit. Pretendimi i tyre në nenin 55 në dimër dhe 88 në pranverë, ishte vetëm një alibi. Dhe kur kjo alibi ra si një kështjellë në rërë na vendosën në tavolinë propozimin nga ndihmëssekretarja e Shtetit, PD kërkoi 48 orë për të marrë veten dhe ndërtoi një alibi më absurde se më parë rrezikun euro-atlantik. Lufta fillon me vetingun, po nuk mbaron me vettingun, këta nuk duan t’ia dinë fare për një të vërtetë sa të thjeshtë, aq të rëndësishme. Kjo është reformë për Shqipërinë drejt BE-së dhe në reformat ë tilla, sovraniteti ynë është relativ, jo absolut, se nuk ka vend që të jetë antarësuar në BE, vend komunist, duke pranuar dhe refuzuar çfarë s’u pëlqen. Pse vallë BE ka vënë si kusht Reformën në Drejtësi për antarësim? Se pa këtë reformë mbetemi Sovran brenda vendit, po s’ka shans të trokasim në derën e BE-së.Unë kam bërë dje një propozim të ri. Ne jemi gati të votojmë në 21 korrik çdo gjë që PD do futë në draftin e Reformës në Drejtësi, me kushtin që të pranohet ng SHBA dhe BE, se është në përputhje me kushtet në funksion të integrimit europian. Ka më qartë se kaq? Unë e ftoj Lulzim Bashën, nga sot deri në orën 10, të datës kur fillon senaca, të më njoftojë, e ka numrin e telefonit, nëse ka ndonjë të re. Unë do ta votoj, ne do ta votojmë, pa kërkuar ndryshimin me asnjë presje. Ky është konsensus me firmë, mbi letër të bardhë. Të shkruajnë ç’të duan, mjafton që ajo që shkruajnë të ketë dy vula: SHBA dhe BE.”

Po nuk ka vonuar dhe përgjigjia e kreut të PD-së, Lulzim Basha. Me një deklaratë të shkurtër, Basha thotë se konferenca e Ramës ishte një hipokrizi e mesditës. “Rama nuk tërhiqet nga bllokimi, por gjen pretekste për ti ikur përgjegjësisë dhe për t’ju fshehur Venecias. Nëse vërtetë e do reformën në drejtësi, zgjidhjen e ka gati, e ka në tryeze. Ja çfarë roli i jep propozimi i PD ndërkombëtarëve në proçes”, u shpreh Basha.
Kjo zgjidhje e ofruar nga opozita është tërësisht sipas rekomandimit të Komisionit të Venecias që është arbitri i vetëm i kërkuar dhe i pranuar nga të gjitha palët”, përfundon deklaratën e tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Më tej pas këtyre deklaratave ka reaguar dhe Kreu i LSI-së Ilir Meta. Ai ka folur për propozimin ‘’Hibrid’’ të ndihmëssekretares së Shtetit Amerikan Victoria Nuland për Reformën në Drejtësi.
‘’Në orët në vijim do bëjmë përpjekje për finalizimin e reformës në drejtësi’’, tha Meta.
Ilir Meta beson se 21 korriku do jetë një histori suksesi dhe jo histori fajtorësh të politikës. Meta inkurajoi edhe një takim të dytë Basha-Rama për Reformën në Drejtësi.
Meta tha:‘’U njohëm me propozimin hibrid. Vlerësojmë përpjekjet për finalizimin e reformës në drejtësi. Në oret në vijim çdo përpjekje për të përafruar qëndrimet. 21 korriku të jetë histori suksesi dhe jo histori fajtorësh të politikës së ditës. Inkurajoj edhe takimin Rama-Basha. Reforma hap i domosdoshëm për 30 vitet që vijnë.

Article Logic
Execution time: 0.0038871765136719