INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Reforma: Një votë më pak! LSI përjashton deputetin Përparim Spahiu

Reforma: Një votë më pak! LSI përjashton deputetin Përparim Spahiu

Publikuar më: 12:07 27-06-2016

Përparim Spahiu nuk është më pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vendimi është marrë këtë të hënë në mbledhjen e  grupit kuvendor të LSI. Vendimi ekstrem i aleatit kryesor në qeverinë e majtë, erdhi pas deklaratës publike që deputeti Spahiu dha për refromën në drejtësi. Ja çfarë shkruante Spahiu pak ditë më parë, kur deklaroi publikisht votën kundër reformës në drejtësi.
Përparim Spahiu:
“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me KE, shpresoj dhe me BE. Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta"?!


Në një dalje për mediat Petrit Vasili argumentoi vendimin e kryesisë së LSI, si pasojë e qëndrimeve kundër linjës zyrtare të partisë.
Petrit Vasili:
“Grupi parlamentar i LSI vendosi përjashtimin e deputetit Përparim Spahiu si anëtar i grupit parlamentar të LSI për shkak të qëndrimeve personale të përsëritura të cilat nuk kanë qenë në pajtim me vendimet e Kryesisë dhe grupit parlamentar të LSI. Qëndrimi më i fundit personal i deputetit Spahiu që lidhet me reformën në drejtësi u vlerësua si i gabuar dhe i nxituar, njëkohësisht në kundërshtim të plotë me qëndrimet tepër parimore dhe koherente të LSI për reformën në drejtësi.
LSI vlerëson rëndësinë e jashtëzakonshem të reformës në drejtësi jo vetëm për forcimin e shtetit ligjor dhe ecurinë e integrimit europian por dhe si një çështje që lidhet drejtëpërsëdrejti me forcimin e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërinë e vendit edhe si faktor stabiliteti në rajon. Ndaj LSI do vazhdojë në mënyrë konseguente të punojë për miratimin e reformës në drejtësi me transparencë dhe konstruktivitet sipas standarteve të Venecias, larg emocioneve dhe llogarive afatshkurta partiake dhe elektorale.

Article Logic
Execution time: 0.0036730766296387