INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Reformohen KEMP-et, zv/ministrja Kospiri: Ndryshon vlerësimi për aftësinë e kufizuar, projekti nis me Tiranën

Reformohen KEMP-et, zv/ministrja Kospiri: Ndryshon vlerësimi për aftësinë e kufizuar, projekti nis me Tiranën

Publikuar më: 16:23 24-01-2019

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Shëndetësisë ka vendosur të ndryshojë vlerësimin e përgjithshëm të situatës shëndetësore dhe sociale të personave me aftësi të kufizuar.

Zv/ministrja e Mirëqenies Sociale znj,Bardhylka Kospiri e ftuar sot në emisionin “KafeIN në INtv, gjatë intervistës në studio theksoi se projekti pilot ka nisur me 2 zona në Tiranë dhe brenda vitit do të shtrihet në të gjithë kryeqytetin.

Reforma e mënyrës së vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar ka të bëjë me vlerësimin e kësaj kategorie jo vetëm si pacient por dhe nga ana e statusit social.

Sipas zv/ministres Kospiri kjo reformë do të zhdukë njëherë e mirë emrin e keq të Komisioneve të vlerësimit apo KEMP-et, aq të përfolura për korrupsion në dhënien e statusit të personit me aftësi të kufizuar.

“Janë disa njësi që janë ngritur pranë Shërbimit Social Shtetëror ku pacienti me aftësi të kufizuar nuk shihet vetëm si pacient por do të vlerësohet dhe për statusin social.

Dikur të gjithë personat me aftësi të kufizuar vlerësoheshin për problemet shëndetësore njësoj, duke përfituar të njëjtën pagesë, por reforma synon që për secilin rast të analizohen pasojat e paaftësisë në familje, statusi social, financiar, traumat e shkaktuara prej paaftësisë etj”, u shpreh zonja Kospiri.

Më tej, zvministrja theksoi se ndryshim ka pësuar dhe vetë Komisioni i Vlerësimit ku sot janë ngritur dy të tilla pranë Shërbimit Social Shtetëror që analizojnë veç fëmijët me aftësi të kufizuar dhe veç të rriturit.

“Për secilin target-grup ka orientime të ndryshme; ata vlerësohen për çdo nevojë sociale dhe shëndetësore duke u orientuar në programe të ndryshme, fëmijët drejt arsimimit të përgjithshëm dhe të rriturit drejt ofrimit të punësimit”, tha sot në Kafein zv/ministrja Bardhylka Kospiri.

Zv/ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Shëndetësisë ka theksuar se prioritet i këtij viti janë tre fushat ku do të orientohen reformat e dikasterit: Mbrojtja sociale, familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuar.

Për zbutjen e varfërisë prioritet do t’i jepet familjet në nevojë të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike.

Zv/ministrja Kospiri tha se përveç vëmendjes për shmangien e rasteve abuzive të përfitimit të ndihmës, në vëmendje do të jetë punësimi i personave që përfitojnë ndihmë ekonomike, me qëllim ofrimin e një shansi për të rritur të ardhurat në familje.

 

Article Logic
Execution time: 0.0038731098175049