Anija e Forcës Detare shqiptare "Lissus" ka marrë pjesë në dy operacione në detin Egje duke shpëtuar 84 persona, burra, gra dhe fëmijë nga vendet e Lindjes.
Operacionet u zhvilluan në kuadër të parandalimit dhe shpëtimit të emigrantëve. Operacioni i parë u zhvillua mbrëmjen e djeshme në orën 21:35 dhe i dyti sot në orën 10:25.
Sipas informacioneve që përcjell Ministria e Mbrojtjes, në gomonen e parë kishte 39 persona në bord, 31 palestinez dhe 8 sirian. Ndërkohë, në gomonen e dytë kishte 45 persona në bord; 31 burra, 5 gra dhe 9 fëmijë.
Anijet e Forcës Detare shqiptare janë angazhuar në operacionin në detin Egje për parandalimin e fluksit të emigrantëve të paligjshëm që tentojnë të hyjnë në vendet e Bashkimit Evropian prej vitit të kaluar duke shpëtuar shumë refugjatë.