Etrit Berisha është pranë rikthimit në fushën e lojës. Pasi mungoi në ndeshjen kundër Romës në “Olimpico” për shkak dëmtimi, portieri shqiptar është drejt rekuperimit përfundimtar për ndeshjen e radhës në kampionat ku Atalanta do të presë në shtëpi Bolonjën.
Ekipi bergamask ka një ecuri fantastike këtë sezon teksa synon që të arrijë të kualifikohet për në kupat e Europës, teksa në portë pritet të rikthehet edhe Etrit Berisha që ka qenë një garanci më vete për skuadrën e drejtuar nga Gasperini.
“Gardiani” kuqezi ka lënë pas problemet fizike dhe për ndeshjen ndaj Bolonjës pritet të marrë vendin e tij si titullar në portë, aty ku të gjithë duan ta shohin. Berisha ka fituar zemrat e të gjithëve në ekipin e Atalantës, por edhe në qytetin e Bergamos teksa në fund të sezonit pritet të zikaltërit të blejnë përfundimisht kartonin e tij nga Lacio.