Mungesa e mbikalimeve për këmbësorët në rrugët e vendit tonë shpesh herë ka sjellë probleme, diskutime dhe reagimin e banorëve. Shumë banorë zgjedhin rrugën e shkurtër për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën, dhe shpesh herë ky fakt ka sjellë aksidente dhe jetë të humbura njerëzish. Mirëpo të kalosh në një nga mbikalimet e autostradës, në Kashar, përballë Domje 1, mund të jetë më e rrezikshme se sa të kalosh në autostradë. Për vetë faktin, se mbikalimi është i prishur, dhe nëse të shkel këmba aty ku nuk duhet, mund të biesh nga ura. Kjo duket fare mirë në fotot e ardhura në redaksinë e intv.al ku banorët e zonës kanë denoncuar këtë rast shumë problematik. Siç shikohet në foto, në mes të urës, ka disa pjesë të cilat janë hapur dhe njëkohësisht janë shumë të rrezikshme.
Mirëpo në drejtim të kryeqytetit, vetëm disa kilometra nga mbikalimi në fjalë, edhe pse në tokë, ky trotuar i ndodhur te tuneli përballë Casa Italia, dhe i raportuar për intv.al paraqet një rrezikshmëri të konsiderueshme për banorët që kalojnë aty.