Mbrëmja e djeshme solli në Shqipërinë e mesme reshje dëbore të cilat janë shumë të pazakonta për këtë zonë.
Dhe natyrisht kjo është shoqëruar jo vetëm me habinë, por edhe kënaqësinë nga ana e njerëzve të cilat janë argëtuar me borën. Mjafton t’i hedhësh një sy rrjeteve sociale për të parë sa është kënaqur cilido duke luajtur dhe duke shijuar këtë mot që vjen shumë rrallë. Megjithatë, diçka të tillë nuk na kishin zënë sytë. Dikush ka ndërtuar një plak bore mbi tavanin e makinës, për të cilin jemi të çuditur se si ia del mbanë të qëndrojë ndërkohë që makina është në lëvizje. Dhe si të mos mjaftonte kjo, edhe po e transporton në autostradën Durrës – Tiranë. Nuk na duket një veprim shumë i sigurtë dhe i tolerueshëm nga rregullat e qarkullimit rrugor, por gëzimi në Durrës për reshjet e dendura të dëborës ka qenë aq i madh sa duhej ta sillnin edhe në Tiranë.