Shkollat e qarkut të Korçës do të jenë të mbyllura ditën e nesërme.
Vendimi është marrë nga drejtuesit e arsimit, pas reshjeve të mëdha të dëborës dhe pëmundësisë për të vijuar procesin arsimor në mënyrë normale, në klasat ku mungon ngrohja dhe ku shumica e rrugëve janë të bllokuara nga dëbora.
Lajmin e bëri të ditur drejtori DAR Korçë Kristaq Grabocka. Sipas tij, ‘Drejtoria Arsimore Rajonale Korçë, nisur nga situata tejet e rënduar nga rreshjet e dëborës, të cilat e bëjnë të pamundur zhvillimin normal të procesit mësimor, vendosi ndërprerjen e tij për nesër dt. 10.01.2018’. Drejtuesit e arsimit nuk janë ende të vendosur se çfarë do të bëjnë një ditë më pas, derisa shtojnë se ‘Për ecurirë do të njoftojmë sërish’.
Sonte në qarkun e Korçës reshjet e dëborës janë me intensitet të lartë dhe trashësia ka arritur rreth 30 centimetra. Në disa akse rrugore dëbora ka shkaktuar probleme në qarkullim, pasi në zonat malore trashësia ka rritur deri në 50 centimetra, ndërsa Dardha është bllokuar për shkak se gjatë ditës së sotme kanë rënë tre ortekë.