Reshjet e dëborës kanë sjellë problemet e para në qarkullim, ku disa akse kanë prani të madhe të dëborës. Deri tani prishja e motit ka shkaktuar 3 aksidente.
Autoriteti Rrugor Shqiptar në një njoftim për mediet, ka bërë me dije se deri tani çdo rrugë është e kalueshme.
Njoftimi i plotë:
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore ju njoftojnë se:
Për shkak të reshjeve të dendura të dëborës që vazhdojnë në Qarkun e Korçës, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal teksa udhëtojnë në akset Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë dhe Korçë-Kapshticë.
Kompanitë e mirëmbajtjes kanë ndërhyrë dhe vazhdojnë punën për kriposjen dhe mbajtjen e rrugës të hapur. Aktualisht nuk ka probleme me kalueshmërinë e mjeteve, por ato duhet të qarkullojnë me zinxhirë.
ARRSH dhe Policia Rrugore janë në terren ndërsa konsiderohet shumë e rëndësishme që drejtuesit e mjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e punonjësve të policisë ashtu sikurse gjatë orëve të natës të kenë akoma më shumë kujdes.