INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Revista e UEFA-s, speciale për Shqipërinë

Revista e UEFA-s, speciale për Shqipërinë

Publikuar më: 09:55 25-04-2016

Revista javore e UEFA-s i ka dedikuar një speciale suksesit historik të Shqipërisë, që u kualifikua për herë të parë në finalet e një Evropiani. Tre prej personazheve të këtij suksesi, trajneri Gianni De Biasi, kapiteni Lorik Cana dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi, kanë treguar emocionet, që nga nisja e eliminatoreve, te fitorja që vulosi kualifikimin në Armeni dhe festa madhështore në Tiranë.

“E nisëm me fitore në Portugali dhe kjo na shtoi besimin se së bashku mund të arrijmë gjëra të mëdha. Duhet të ishim shumë të motivuar dhe të shmangnim mendimet se do të ishte e pamundur për ne. Gjëja më e mirë ishte se kur lojtarët më panë, vendosën dorën në zemër dhe thanë: ‘respekt’. Mendoj se ajo është gjëja më e bukur për mua, sepse ata kuptuan se pas gjithë këtyre rezultateve, unë kisha dhënë ndihmën time në arritjen e objektivit madhor”, – tregon trajneri kuqezi.

“Ëndrra ime e madhe ka qenë që me ekipin e kombit tim të kualifikohem në një event si kampionati europian. Kur fituam në Armeni dhe vulosëm kualifikimin, aty ishte shkarkimi i gjithë emocioneve, lumturisë, stresit, dashurisë, pasionit dhe zhgënjimeve që kam përjetuar në 13 vite me Kombëtaren. Tashmë në Francë do jenë shumë tifozë shqiptarë dhe besoj se do të kalojmë diçka të paharrueshme. Dhe pse jo edhe ne të themi fjalën tonë”, – thotë kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana.

Ndërsa Sokol Cikalleshi e ka përjetuar kështu edicionin e mrekullisë: “Që para fillimit të eliminatoreve, në skuadër ndihej diçka ndryshe, duke filluar nga harmonia dhe besimi që kishim te forcat tona. Duke futur këtu edhe mbështetjen e mrekullueshme të tifozëve tanë, ne besonim se mund të bënim diçka të madhe. Fituam në Portugali dhe ne kemi një shprehje: ‘fillimi i mbarë është gjysma e punës’. Pas fitores në Armeni, kur mbërritëm në Tiranë, të gjithë njerëzit kishin dalë në rrugë dhe kjo ka qenë mrekullia vetë”.

Article Logic
Execution time: 0.003882884979248