INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Revolucioni i Zgjedhjes

Revolucioni i Zgjedhjes

Publikuar më: 09:40 10-04-2019

Nga Alanna Armitage

 

Tre dekada, pothuaj një gjeneratë, pasi vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore dolën nga kolapsi i Komunizmit dhe nisën rrugën e ekonomisë së tregut dhe demokracisë, rajoni është tashmë në mes të një revolucioni të një lloji tjetër. Unë do ta quaja revolucioni i zgjedhjes.

Zgjedhja ndodh kur njerëzit kanë mundësi të marrin vendime për jetën e tyre. Kjo fillon me pyetjet më bazike: Me kë dua të jem? A dua të kem fëmijë? Sa fëmijë? Çfarë pune dua të bëj? Për çfarë arsimimi kam nevojë? Çfarë balance dua midis jetës private familjare dhe punës apo aspiratave të tjera?

Kur njerëzit i bëjnë këto zgjedhje lirisht, ata përparojnë. Zgjedhja është fuqizim. Dhe e shohim zgjedhjen të lulëzojë kudo në rajon, kur gratë dhe burrat, djemtë dhe vajzat i përdorin mundësitë që ofron bota jonë në ndryshim për të formësuar jetët e tyre dhe për të ndjekur të ardhmen që duan.

Por jo të gjithë përfitojnë në mënyrë të barabartë. Në fakt, shumica e shoqërisë është ende e përjashtuar nga revolucioni i zgjedhjes.

Për shembull Maria nga Moldova. Maria ishte 16 vjeç kur mbeti shtatzënë për herë të parë. Ajo nuk dinte asgjë për kontracepsionin apo rrezikun nga një shtatzëni e hershme.

“Unë nuk i kisha diskutuar kurrë këto gjëra me nënën time. Më vinte turp,” na tha. “Edhe mësueses së biologjisë i vinte turp, mendoj, ndaj i shmangte këto tema.”

Maria e la shkollën, megjithëse kishte qenë midis nxënësve më të mirë në klasën e saj. Sot, në moshën 22 vjeçare, ajo ka tre vajza. Familja mezi ia del të sigurojë gjërat bazike.

Historia e Marias nuk është unike. Si Maria, miliona djem dhe vajza nuk mësojnë kurrë në shkollë ose brenda familjes se si ta mbrojnë veten nga shtatzënitë e paplanifikuara dhe se si të kenë marrëdhënie të respektueshme dhe të barabarta. Ato lihen vetëm me pasojat, që ndonjëherë janë edhe tronditëse për jetën e tyre: lindja e një fëmije në moshë të hershme, shpesh duke i dhënë fund arsimimit dhe i duke çuar drejt një jete ku mbizotëron varfëria dhe dhuna.

Miliona gra kanë rënë në kurthin e marrëdhënieve të pabarabarta ose abuzive. Atyre nuk u lejohet të marrin vendime për trupin, shëndetin apo fertilitetin e tyre, por jetojnë nën një frikë konstante dhune.

Në mënyrë shqetësuese, një në tre gra në rajonin tonë ka provuar një formë të dhunës fizike ose seksuale, shpesh nga një partner, tregon survey i fundit i mbështetur nga UNFPA.

Këto nuk janë thjesht statistika. Çdo vajzë që braktis shkollën, çdo grua që rrihet apo mbyllet në shtëpi do të thotë një jetë tjetër në rrezik serioz për të mos realizuar potencialin e vet.

Si shoqëri moderne ne nuk mund ta përballojmë humbjen e potencialeve apo talenteve të miliona njerëzve që hasin përjashtim dhe diskriminim: gra dhe të rinj, persona me aftësi të kufizuara, emigrantë, minoritete, të moshuar dhe grupe të tjera që shtyhen në qoshe. Ky nuk është thjesht moral i domosdoshëm. Ai shkon në zemër të mundësisë së një vendi për t’u drejtuar drejt stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë.

Lajmi i mirë është se ka shenja ndryshimi kudo. Prindërit po fillojnë të shohin vlerën e asaj nëse i japin fëmijëve të tyre atë për të cilën kanë nevojë që të bëjnë zgjedhjet e tyre të shëndetshme dhe të sigurta. Edhe nëse kjo përfshin tema të tilla të parehatshme si seksualiteti. Shumë të rinj po dalin në ballë dhe po angazhohen në formimin e të ardhmes së tyre dhe atë të vendeve të tyre. Gjithnjë e më shumë burra po kuptojnë se rolet tradicionale gjinore jo vetëm dëmtojnë gratë, por minimizojnë eksperiencën e tyre si partnerë dhe baballarë. Njerëzit po kuptojnë se diferencat – qofshin gjinore, moshore apo aftësi fizike – nuk ndikojnë në vlerën dhe dinjitetin e brendshëm të jetës njerëzore.

Këto transformime shtohen në opinionin e fuqishëm të ndryshimit. Ato na sjellin më afër realizimit të vizionit të formuluar 25 vite më parë, në themellet e Konferencës Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ICPD), e cila vuri të drejtat dhe zgjedhjet e individit në zemër të axhendës ndërkombëtare të zhvillimit dhe theksoi se fuqizimi i grave dhe vajzave është kyç për mirëqenien e individëve, familjeve, kombeve dhe botës.

Sot, kur shënojmë 25 vjetorin e ICPD dhe prezantojmë këtë raport të Gjendjes së Popullsisë së Botës “Punë e pambaruar: Në ndjekje të të Drejtave dhe Zgjedhjeve për të Gjithë”, ne i bëjmë thirrje qeverive, shoqërisë civile, sektorit privat dhe individëve të bashkohen me revolucionin e zgjedhjes. Të gjithë ne

duhet të bëjmë pjesën tonë për ta bërë zgjedhjen një realitet për këdo – përmes ligjeve dhe politikave, dhe përmes sjelljeve dhe qëndrimeve tona.

Disa hapa mund të të çojnë larg. Ofrimi i edukimit për jetesë të shëndetshme në të gjitha shkollat për shembull. Zbatimi i politikave për zero tolerancë ndaj dhunës kundër grave dhe krijimi i sistemeve për të mbështetur të mbijetuarit e dhunës. Sigurimi i kujdesit për fëmijët, leja prindërore dhe arranxhimet fleksibël të punës në mënyrë që asnjë prind të mos detyrohet të zgjedhë midis fëmijëve apo karrierës.

Investimi në politika për të zgjeruar zgjedhjet e njerëzve dhe për të mos lënë asnjë pas, forcon atë që shkencëtarët e quajnë “kapital njerëzor”, aftësitë e kombinuara, njohuritë dhe eksperiencat e popullatave. Kjo gjë është esenciale për performancën ekonomike. Dhe i vendos vendet në një pozicion të fuqishëm për t’u marrë me pasojat e ndryshimit demografik, siç janë niveli i ulët i lindjeve apo moshimi i popullatave.

UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, ka 50 vjet eksperiencë ndihme për vendet që të hartojnë politika të tilla dhe këshillim bazuar në atë çka ndodhur diku tjetër. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë vendet e rajonit për të çliruar fuqinë e tyre të plotë të zgjedhjes.

Sepse zgjedhja nuk është vetëm një e drejtë që duhet gëzuar nga çdo person. Është një përbërës esencial për të formuar të ardhmen tonë të përbashkët.

Alanna Armitage është Drejtoresha e Zyrës Rajonale të UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

 

Article Logic
Execution time: 0.0038580894470215