INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rexhep Qosja: Shqipëria dhe Kosova do bashkohen pa hyrë në BE

Rexhep Qosja: Shqipëria dhe Kosova do bashkohen pa hyrë në BE

Publikuar më: 14:47 28-11-2017

Akademiku Rexhep Qosja mendon se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në një shtet pa hyrë në Bashkimin Europian. Ai shprehet kundër deklaratave të politikanëve shqiptarë, të cilët flasin për një bashkim brenda BE-së. Sipas Qoses, Brukseli nuk lejon bashkimin e dy shteteve anëtare, ndaj Shqipëria dhe Kosova do e përmbyllin këtë proces përpara anëtarësimit.

Pjesë nga reagimi i Rexhep Qoses për emisionin ‘Dritare’:

Ne do duhej të kemi të qartë qëllimin, cili është qëllimi ynë dhe njëkohësisht duhet të kemi të qartë, të dimë rrugën që duhet të ndjekim drejt këtij qëllimi, duhet të kemi të qartë rrugën në mënyrë që të mos bredhim rrugicave. E ky qëllim yni sot është, si pikë e parë, përmirësimi i gjendjes së rëndë historike që kemi trashëguar: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ne dëgjojmë sot njerëz të politikës të cilëve u është dhënë besimi i popullit të mendojnë për gjendjen e tij, por edhe për çështjen shqiptare në përgjithësi, sesi kjo çështje do të zgjidhet në Bashkimin e Evropës. Jo, nuk do të zgjidhet në Bashkimin e Evropës. Ashtu siç nuk e lejon një shtet anëtar të tij të ndahet në dy shtete poashtu Bashkimi Evropian nuk i lejon dy shtete anëtare të tij të bashkohen në një shtet. Çështja kombëtare shqiptare, çështja e Kosovës dhe Shqipërisë, prandaj do zgjidhet si bashkim i Kosovës me Shqipërinë pa hyrë në Bashkimin Evropian sepse vetëm ashtu të bashkuara ne na sigurohet ai ideal që e kanë dëshiruar brezat gjatë këtyre vjetëve.

Pse bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?

Kjo nuk është çështje vetëm e dëshirave, e vullnetit, apo ndjenjave të shqiptarëve, por kjo është një çështje që zgjidh shumë çështje të tjera të jetës së popullit shqiptar. Kosova me Shqipërinë të bashkuara, krijojnë kushte shumë më të mira natyrore, gjeografike, politike, ekonomike, shëndetësore, arsimore, kulturore, shkencore, për një jetë më të mirë të popullit të Shqipërisë dhe Kosovës së bashkuar. Ato bëjnë të mundshme një siguri të mirërritjes së brezave të ardhshme, bëjnë të mundur rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, bëjnë të mundshme një jetë në kushte në të cilat do të lulëzojnë ato të mira që njerëzit e politikës sot nuk i përmendin, me të cilat mjerisht nuk merren, por që bëjnë të mundshme që në këtë jetë Kosovës dhe Shqipërisë së bashkuar t’i lulëzojnë vlerat më të mëdha si kultura, qytetërimi, artet, letërsia, shkencat – vlerat që sigurojnë identitetin e një populli dhe vlerat që e bëjnë një popull të jetojë historikisht.

Article Logic
Execution time: 0.0036149024963379