INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Riformatohet kabineti i Zaev. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit

Riformatohet kabineti i Zaev. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit

Publikuar më: 12:21 02-06-2018
Katër vende ministrash dhe po aq zëvendës-ministra ndryshojnë në kabinetin e kryeministrit Zoran Zaev. Koalicioni qeveritar zgjerohet me njërin krah të Lëvizjes “Besa”, me Partinë Demokratike Shqiptare dhe Lidhjen e Romëve.
Asaf Ademi i Lëvizjes Besa, krahu i Shkupit, siç njihet në opinionin publik, do ta drejtojë ministrinë e Kulturës. Ai mori mbështetjen e 66 deputetëve, ndërsa 23 votuan kundër. Bardhyl Dauti i PDSH-së është ministër i ri, pa portofol. Atë e votuan 65 ligjvënës. 25 ishin kundër tij dhe 1 abstenim.
 
Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja Social Demokrate shkëmbejnë postet e ministrave të Drejtësisë dhe të Arsimit. Renata Deskoska e LDSM-së nga Arsimi e merr në drejtim ministrinë e Drejtësisë prej nga është larguar para pak muajsh Bilen Saliji (BDI), ndërsa Arbër Ademi i BDI-së nga zëvendës-ministër bëhet ministër i Arsimit dhe Shkencës. Pro Deskoskës votuan 67 ligjvënës kurse 23 kundër. Ademin e votuan 67, ndërsa 25 kundër.
 
Kryeministri Zaev në parlament, duke folur për nevojën e ndryshimeve në kabinet, tha se “krizën e thellë politike po e lëmë pas vetes duke hapur procese serioze reformash për ta kthyer besimin tek institucionet dhe ambienti demokratik”. Ai shtoi se vendi nga izolimi me tensione të mëdha politike arriti tek pragu i anëtarësimit të vërtetë në NATO dhe tek një datë e pritshme për bisedime me Bashkimin Evropian.
Zaev vlerëson se ministrat e rinj kanë kapacitetin e duhur për ta kryer detyrën e tyre me sukses.
 
Por, opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE kërkoi dorëheqjen e vetë kryeministrit sepse, sipas saj, po e çon vendin drejt greminës dhe po “shet interesat shtetërorë të Maqedonisë”.
Zoran Zaev e bëri riformatimin pikërisht në njëvjetorin e marrjes së detyrës së kryeministrit.
Koalicioni i shumicës u zgjerua për gjashtë deputetë, por ende larg numrit të nevojshëm për një shumicë të kualifikuar, përkatësisht 2/3 në parlament të nevojshme sidomos për ndryshime kushtetuese dhe për një sërë reformash të tjera.
 
Article Logic
Execution time: 0.004101037979126