INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rikonstruktohet bibilioteka, do të funksionojë edhe si qendër komunitare

Rikonstruktohet bibilioteka, do të funksionojë edhe si qendër komunitare

Publikuar më: 10:53 25-08-2017

Projekti për rigjallërimin e bibliotekave në çdo lagje të Tiranës po vijon me rikonstruksionin e bibliotekës në Njësinë nr.7, e cila po merr formën e një hapësire të veçantë për të rinjtë dhe komunitetin e zonës. Krahas investimeve në rrugë të reja, kënde lojërash për fëmijët e parqe për t’u çlodhur, Bashkia e Tiranës po i jep vëmendje edhe përmirësimit të infrastrukturës për dije e kulturë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kreu i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, inspektuan punimet që po kryhen në bibliotekën e Njësisë 7, ku theksuan se investime të tilla janë garanci për të ardhmen e qytetit.

“Bashkia e Tiranës bën shumë investime të dobishme në infrastrukturë: rrugë, kanalizime, rrjet ujësjellësi, kënde lodrash për fëmijë, por unë besoj se investimi më i dobishëm është investimi në kulturë. Investimi që nisim sot në bibliotekën “Musine Kokalari”, është një investim inteligjent sepse e kthejmë këtë hapësirë në një qendër komunitare, jo vetëm për nga numri i titujve të librave, por edhe kushtet infrastrukturore”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se me përparimin e teknologjisë janë bërë të nevojshme politikat që i rikthejnë fëmijët, e mandej të rinjtë, te libri, si mënyra më e mirë për zhvillimin intelektual dhe kulturor. “Sot jetojmë në kohën kur njerëzit bombardohen nga celularët, ipod-ët, interneti, por harrojmë që njerëzit bëhet qytetarë më të mirë falë librit, falë fokusit te kultura. Në Tiranë po ecim paralelisht me investime në infrastrukturë dhe investime në kulturë. Sa është e rëndësishme hapësira brenda pallateve, brenda lagjeve e rrugëve tona, aq e rëndësishme është edhe hapësira brenda mendjes tonë sepse kjo garanton që investimet e bashkisë nuk vandalizohen, që mbahen pastër, që nuk ndotin mjedisin”, shtoi Veliaj.

Kreu i bashkisë njoftoi se këtë vit bashkia do të rikonstruktojë edhe dy biblioteka të tjera, ndërsa deri në fund të mandatit do të përfundojë të gjitha bibliotekat e lagjeve, me qëllim që ato të shërbejnë jo vetëm si qendra leximi, por edhe si qendra komunitare, ku banorët mund të zhvillojnë aktivitete të ndryshme. “Duke investuar në biblioteka të tilla është e vetmja garanci që kemi për Tiranën moderne. Duam që bibliotekat të funksionojnë edhe si qendra komunitare, si vende ku të rinjtë të takohen, ku organizatat lokale të komunitetit të mblidhen, e ku grupe veteranësh apo pensionistësh të kalojnë kohën e tyre të lirë, të lexojnë shtypin e ditës falas etj”, shtoi Veliaj.

Ai theksoi se krahas rikonstruksionit të godinave të bibliotekave do të punohet paralelisht edhe për pasurimin e tyre me sa më shumë tituj librash. Për këtë, ai ftoi qytetarët dhe biznesin që të kontribuojnë. “Do t’i kërkojmë të gjithë atyre që kanë mundësi, edhe botuesve, që të dhurojnë tituj librash”, tha Veliaj.

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, falenderoi bashkinë për punën e saj për rigjallërimin e rrjetit të bibliotekave në kryeqytet dhe shtoi se këshilltarët bashkiakë do të dhurojnë libra me qëllim pasurimin e fondit të këtyre librarive.

Article Logic
Execution time: 0.0038819313049316