Sot rikthehet gara më prestigjioze e klubeve në futboll, Champions League. Këtë të martë dhe të mërkurë do të zhvillohen ndeshjet e para të sezonit të ri futbollistin më kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë. Ndeshja më e spikatur do të jetë ajo mes Barcelonës dhe Juventusit, ku katalanasit do tentojnë të “hakmerren” ndërkohë që italianë luajnë gjithashtu për një rezultat pozitiv. Përveç sfidave të bukura, ditën e sotme do të luajnë dhe skuadrat e legjonarëve tanë, Ansi Agolli, Taulant Xhaka, si dhe e trajnerit shqiptar, Besnik Hasi.
Skuadra e Agollit, Karabaku do të përballet me Çelsin e Kontes, ndërkohë që futbollisti është në mëdyshje për lojën e sotme pasi u dëmtua në sfidën e Kombëtares kundër Maqedonisë.
Nga ana tjetër, Baseli i Xhakës do të luajë përballë ”gjigandëve” të Manchester United në Angli. Sfidë po ashtu të rëndësishme ka edhe trajneri shqiptar i Olimpiakosit, Besnik Hasi, i cili do të përballet me Sportingun e Lisbonës.
Hasi është përpjekur që të ulë presionin në skuadër duke thënë para sfidës, që është një ndeshje e zakonshme dhe jo një finale, prandaj gjithçka duhet marrë me qetësi.