INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rikthehet Fatos Nano, në 25 vjetorin e PS-së: Të ndalim “Rilindjen”

Rikthehet Fatos Nano, në 25 vjetorin e PS-së: Të ndalim “Rilindjen”

Publikuar më: 19:40 13-06-2016

I ka munguar shumë politikës dhe ish-kryeministri Fatos Nano i është drejtuar me një mesazh socialistëve në 25-vjetorin e krijimit të PS. Në këtë mesazh lideri historik i PS-së u kujton socialistëve se diçka e rëndë ka ndodhur me partinë e tyre. Nano gjithashtu i uron ata për kontributin dhe sakrificat që kanë dhënë për këtë parti.

 “Ky është një Përvjetor kuptimplotë për të vlerësuar pjekurinë e një partie të madhe politike, të madhe për nga vlerat dhe kontributet në 25 vjet demokraci pluripartiake në Shqipëri dhe në rajon. Sot jetojmë në kohë krizash, në vend dhe në botën që na rrethon. Në krizë është dhe politika, edhe partitë tradicionale në Shqipëri. Për fat të keq edhe PS. Them për fat të keq, sepse vitaliteti i qëndrueshëm i PSSH në vitet e pluralizmit ushqehej dhe mbahej nga aftësitë dhe përvoja e fituar nga lidershipi i saj për të menaxhuar dhe kapërcyer krizat e tranzicionit (objektive apo të krijuara nga Berisha), pa rënë vetë në krizë. Edhe në 1991, edhe në 1997, edhe në 1998-1999, edhe në kaosin e rënies së shtetit të piramidave në Shqipëri, edhe në gjëmimet e lindjes së shtetit të pavarur të Kosoves etj., PSSH bëri detyrën ndaj kombit dhe historisë pa humbur vitalitetin dhe vlerat e saj demokratike”  shkruan Nano në mesazhin e nisur për Panoraman.

Ish-kryeministri bën një panoramë të situatës politike të cilën e sheh në krizë të vazhdueshme.

“Sot nuk është më kështu! Krizat kanë kërrusur jo vetëm Shqipërinë dhe rajonin, por edhe vetë PS-në! Diçka thelbësore është thyer dhe nuk funksionon në organizmin e saj demokratik. Në këtë ditë të shënuar dhe kryelartë për socialistët dhe të majtën e re shqiptare në tërësi, nuk është e dobishme të stigmatizohet sëmundja e rëndë nga e cila po gulçon PS-ja dhe demokracia shqiptare” – thotë Nano.

Sipas tij tani është koha për t’u përballur me “rilindjen”. 

“Por, është momenti i mobilizimit të gjithë aftësive, përvojave dhe brezave përfaqësues të tyre në PS, për t’u ringjallur, përpara se “rilindja” të shtrijë vdekjen mbi gjithçka të mirë të krijuar me solidaritet shembullor në 25 vite! Unë kam besim se socialistët e vërtetë mund ta bëjnë dhe do ta bëjnë këtë “katharsis” të së majtës, jo vetëm në dobi të “gjeneratës tjetër”, por në dobi edhe të brezave të sotëm, të prindërve e të fëmijëve, të gjyshërve e të nipërve e mbesave socialiste, që e kanë mbajtur vitale dhe fituese Partinë Socialiste të Shqipërisë deri më sot. Unë jetoj me ta dhe për ta! Gëzuar festën e bashkëmoshatarëve 25 vjeçarë!” – e mbyll Fatos Nano.

Article Logic
Execution time: 0.0038421154022217