Rikthehet për të dytin vit Maratona e Tiranës e cila tashmë ka nisur rrugën e krijimit të një tradite sportive në kryeqytet. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim dhe me Federatën Shqiptare të Atletikës kanë hapur regjistrimet për të gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë që të bëhen pjesë e kësaj gare që do të zhvillohet më 15 tetor.
Përmes postimit në Facebook, Kryebashkiaku Erion Veliaj ka ftuar të gjithë qytetarët që të regjistrohen dhe të nisin përgatitjet
Maratona është konceptuar e ndarë në disa kategori, duke i dhënë mundësi gjithkujt që të sfidojë vetveten dhe të përcjellë tek të tjerët mesazhin për një jetë të shëndetshme përmes sportit.
Edhe sivjet, Maratona do të çelë siparin e saj me kategorinë “Fun Run”. Do të jenë qindra nxënës të shkollave Tiranës të cilët do të vrapojnë përmes rrugëve të qyteti me një objektiv, edukimi i brezave përmes sportit për një jetë aktive. Njëkohësisht, synohet që përmes Maratonës të evidentohen dhe të nisë përgatitja e atletëve të ardhshëm.
Po kaq e rëndësishme është dhe kategoria “We too”, ku do të marrin pjesë edhe njerëzit më aftësi ndryshe. Kjo kategori ka për qëllim të jetë më shumë motivuese se sa kompetitive.
Dhe ashtu siç e kërkon një Maratonë e vërtetë, nuk mungojnë dhe dy kategoritë “Half Marathon” (21, 0975 km) dhe “Tirana 10K”, ku Bashkia e Tiranës fton të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj mbi moshën 18 vjeç që të marrin pjesë.
Pas suksesit të vitit të kaluar, Maratona e Tiranës ka certifikuar itinerarin e saj të ri nga Association of International Marathon and Distance Race dhe është bërë pjesë e shtëpisë botërore të atletikës International Association of Athletics Federations.
Për të gjithë ata që kanë dëshirë që të marrin pjesë mund të regjistrohen këtu: https://goo.gl/59zyq5