INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rikthehet në identitet lagjja e Selvive, mbillen 150 drurë dekorativë

Rikthehet në identitet lagjja e Selvive, mbillen 150 drurë dekorativë

Publikuar më: 18:29 16-01-2018

Lagjja e Selvive, përveç emrit, nuk i kishte mbetur më asnjë shenjë të drurëve karakteristikë të dikurshëm, të cilët i jepnin hijeshi zonës. Por, nga sot, në një ndër lagjet më të vjetra të qytetit të Tiranës, ajo e rrugës “4-Dëshmorët” në Njësinë nr. 8”, u mbollën 150 drurë dekorativë të llojit selvi, për t’i rikthyer zonës gjelbërimin, por edhe emrin e dikurshëm.

Aksionit të mbjelljes së selvive iu bashkua edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se gjelbërimi do të shtrihet në të gjitha lagjet dhe rrugicat e Tiranës. “Janë 150 selvi që sot “qëndisin” lagjen e Selvisë, por që përveç emrit nuk kishte asnjë shenjë të selvive. Tani është detyra e banorëve të lagjes, që t’i mbrojnë e të kujdesen për to. Jam shumë i lumtur që nisma për këtë revolucion të gjelbër në Tiranë ka shkuar nga zonat kryesisht pyjore, parqe, nga Unaza dhe Pylli Orbital, deri nëpër lagje. Ky është një lajm fantastik, se po “qëndisim” me gjelbërim të gjitha lagjet e rrugicat e Tiranës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se fakti që bizneset marrin kohë nga koha e tyre dhe shpenzojnë të ardhura për mbjelljen e pemëve të reja, do të thotë se Tirana ka nevojë për këtë investim. “Për një biznes, as koha e as paratë nuk janë të tepërta. Fakti se bizneset harxhojnë nga koha dhe paratë e tyre për të bërë këtë investim, do të thotë se kjo është vërtet diçka e rëndësishme. Në këtë qytet dy zgjidhje janë shumë të qarta: Ne ose do mbjellim sherr me njëri-tjetrin, ose do mbjellim pemë. Kur shoqëria është e ndarë në ata që bëjnë vetëm gam-gam dhe japin mend për gjithçka dhe në një grup që është shumica, e cila sheh një problem dhe e zgjidh, sheh një mundësi dhe kontribuon, atëherë besoj se do kemi një shoqëri më të mirë”, u shpreh ai.

Për çdo datë të shënuar, në të gjithë kryeqytetin do të organizohen aksione për mbjelljen e fidanëve të rinj, të cilët do të shtojnë sipërfaqet e gjelbra në kryeqytet, ndërkohë që Tirana përgatitet që deri më 21 mars të jetë gati për thyer rekordin e mbjelljes së 100 mijë pemëve të reja. “Do të vijojmë gjatë gjithë kësaj jave, edhe për kremtimin e Vitit të Skënderbeut. Kemi trashëgim që nga koha e Skënderbeut, rreth 550 vite më parë, mbjelljen e ullinjve për çdo sebep e martesë, për çdo çift të ri në shenjë të harmonisë e paqes. Do vazhdojmë në 14 shkurt për të mbjellë një pemë, në emër të dashurisë të atyre që janë bashkë në Tiranë. Pastaj, në datat 7-8 mars, për Ditën e Mësuesit dhe të Nënës, si një mënyrë për t’u kujtuar atyre me një pemë, një kontribut në qytetin tonë. Do të përfundojmë në 21 mars, me Ditën ndërkombëtare të Pyjeve, ku besoj se do thyejmë rekordin tonë të 100 mijë pemëve në të gjithë Tiranën”, nënvizoi Veliaj.

Deputeti i PS, Ervin Bushati, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen e këtij projekti dhe u shpreh se të tilla investime duhet të shtrihen në të gjithë Tiranën. “Ka qenë një zonë që historikisht ka pasur këtë emërtim të bukur dhe është një pikë referimi e Tiranës dhe mendoj që nisma si këto të shtrihen në të gjithë qytetin e Tiranës, ku çdo zonë të ketë edhe ajo një pjesë të sajën karakteristike të traditës që e identifikon. Falenderoj Kryetarin e Bashkisë që na mbështeti në këtë ide dhe me punën që është bërë sot, sepse një pemë më shumë është një jetë më e mirë për çdo qytetar të Tiranës, për çdo fëmijë të Tiranës”, tha Bushati.

150 pemët e mbjella në rrugën “4 Dëshmorët” janë dhuruar nga kompania “SOMBRERO” sh.p.k, kompania VEKO sh.p.k dhe “Mulliri vjetër”.

Krahas përmirësimit të infrastrukturës në rrugët e reja dhe në ato ekzistuese, Bashkia e Tiranës po i kushton një vëmendje të veçantë edhe krijimit të gjelbërimit të përhershëm. Synimi i Bashkisë është që deri më 2030-n kryeqytetit t’i shtohen 2 milionë pemë, duke e rrethuar atë me një kurorë të gjelbër, që do të përmirësojë ndjeshëm edhe cilësinë e ajrit dhe do të krijojë hapësira çlodhëse për qytetarët.

Article Logic
Execution time: 0.003756046295166