Një pritje për të nderuar familjet e ushtarakëve në Shtëpinë e Bardhë u kthye në një ngjarje të jashtëzakonshme. Mbledhja, e cila nderoi të afërmit e anëtarëve të forcave ushtarake të vrarë, shënoi kthimin në jetën publike të zonjës së parë Melania Trump, pas më shumë se tre javësh gjatë së cilës ajo nuk kishte dal në publik duke mos marrë pjesë në asnjë ngjarje zyrtare.
Të hënën ndërsa priti familjet e ushtarakëve Presidenti Trump bëri shaka për thashethemet që kanë qarkulluar gjatë mungesës së gjatë të gruas së tij duke pretenduar se çifti po ndahet. "A është e drejtë, kjo zemër?" – e pyeti ai, ndërsa Melania Trump qeshi nga rreshti i parë ku ishte ulur. Ajo nuk mbajti asnjë fjalim gjatë mbrëmjes.
Melania ishte parë për herë të fundit më 10 maj duke qëndruar pranë bashkëshortit të saj në Bazën e Përbashkët Andrews, ndërsa çifti përshëndeti tre amerikanë të cilët ishin liruar nga burgu në Korenë e Veriut. Katër ditë më vonë, Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se ajo i ishte nënshtruar me sukses një procedure kirurgjikale, për heqjen e një cisti në veshkë.