Për vetë potencialin e madh që mbart Shqipëria, po tërheq vazhdimisht vëmendjen e mediave të huaja të cilat e promovojnë sidomos për natyrën dhe rivierën. Në hartën europiane të britanikëve Reddit, Shqipëria vlerësohet me këto dy cilësi me të cilat “mburret” në syrin e turistëve të huaj. Përpos destinacioneve të kërkuara jashtë trojeve, vetë Shqipëria ofron një sërë vendesh interesante për të pushuar apo për të vizituar, në rastin e turistëve të huaj. Në mesin e shumë shteteve të tjera, natyra është ajo që dominon në përshtypjet e të huajve për vendin tonë apo ajo që i ka bërë më tepër përshtypje. Gjithashtu vlerësohet edhe arkitektura e qyteteve si Berati e Gjirokastra, të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore UNESKO.
Ndërsa si element i veçantë, Shqipëria përmendet për rivierën e saj. Pak kohë më parë, media gjermane Die Welt i’u referua Rivierës Shqiptare si një nga brigjet e fundit të paprekur në Mesdheun Europian.
“Ata që duan të përjetojnë origjinalitetin e tyre duhet të nxitojnë, sepse tashmë ka plane të mëdha për këtë zonë. Kur jemi te Riviera Shqiptare, ka fshatra që thuajse janë të paeksploruar. Rajoni do jetë më atraktiv për turistët kur do të hapet edhe aeroporti që pritet të ndërtohet në gjirin e Vlorës” thuhet në artikullin e gjermanëve.