Robert Berisha është mjaft i angazhuar me mbrëmjet ‘live’, pasi thuajse çdo fundjavë është i ftuar në ‘clube’ apo lokale nate për të kënduar. Pavarësisht se Roberti nuk numëron shumë këngë në repertorin e tij muzikor, arrin të këndojë më së miri edhe të tjera që preferohen nga publiku. Berisha ka vetëm 3 vite që është përfshirë aktivisht në tregun muzikor, por mesa duket kudo ku është i ftuar këndon vetëm ‘live’. Ndonëse shumë mund ta shohin si një punë të lehtë, Roberti ka treguar se të kënduarit ‘live’ është shumë e lodhshme.
Këngëtari ka publikuar në ‘Instagram’ një video në të cilën tregon se veshjet e tij kanë djersitur nga të kënduarit. Me këtë rast Roberti ka ironizuar të gjithë këngëtarët, të cilët zgjedhin që para publikut të këndojnë ‘playback’. “Këngëtarët e ‘playback’ nuk kanë të tilla probleme”, ka shkruar Roberti përkrah videos së tij.