INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Robert Ndrenika feston 75-vjetorin e lindjes, LRI i bën surprizë në shtëpi [FOTO]

Robert Ndrenika feston 75-vjetorin e lindjes, LRI i bën surprizë në shtëpi [FOTO]

Publikuar më: 18:22 10-01-2017

Robert Ndrenika feston sot 75-vjetorin e lindjes, dhe 75 vite mbi supe janë të mbushura plot me shumë role të shkëlqyera në kinematografinë dhe skenën shqiptare. Në këtë ditë të shënuar për të, Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi një vizitë në shtëpinë e aktorit të mirënjohur.

Letër për një mit!

Të shkruash një letër dhe të vësh në të, të gjitha ndjenjat, ashtu siç ato janë, pa u hequr asnjë grimë  është e vështirë dhe vështirësia bëhet mbytëse, kur mendon se ajo do të shkojë në dorën e njeriut që letrave u dha jetë, e i bëri të flasin nëpërmjet tij, si rrallëkush tjetër më parë!

Ne u rritëm në një periudhë të vështirë për artin, periudhë në të cilën artit shpirtin ia kaploi sëmundja e rëndë e paaftësisë për të përçuar vlera dhe mesazhe për njerëzit mbarë. Sigurisht, përjashtim bëjnë ato pak raste kur ndodh e kundërta, bukuria dhe vlera  e së cilave, na bënë të besojmë se kjo tokë ende prodhon art dhe artistë!

U rritëm duke adhuruar të shkuarën tonë, heronjtë tanë, luftërat tona, historinë e vendit tonë nëpërmjet Jush, që na e vizualizuat dhe e bëtë të prekshme!

E pavarësisht sa e sa fjalëve  të thëna ashtu kot, askush nuk ka mundur dhe nuk do të mundë kurrë,  të zhbëjë atë që Ju dhe një plejadë e jashtëzakonshme artistësh na trashëguat!                                                                                                                                                                                                                                                                                

Ju u bëtë pjesë e çdo familjeje shqiptare me personazhet tuaja në kinematografi dhe teatër, kjo jo vetëm nga mënyra brilante e realizimit por mbi të gjitha sepse Ju arritët të na transmetonit nga ekrani i televizionit  dhe skena e teatrit pozitivitet dhe mirësi!

Batutat, personazhet dhe mesazhet e tua shoqëruan jetën tonë, e ta dish mirë, ato do të jetojnë sa vetë arti në këtë vend!

Ju kërkojmë ndjesë së mbase nuk jemi publiku që Ju meritoni. Magjisë së artit që ju bëni, ndoshta ne jo se nuk duam, por se nuk mundemi, i qëndrojmë borxhli!

“Robert  Ndrenika njeri, fitoi mbi aktorin”, u shpreh vajza juaj kur u pyet mbi rikthimin tuaj pak vite më parë në skenë pasi humbët gjysmën tuaj më të mirë. Kjo realisht përbën dhe arsyen më të fortë pse Ju jeni unikal, dhe mbi të gjitha një njeri i madh që ia dedikuat jetën artit dhe së bukurës!

Nëse do kishit lindur në një vend tjetër, magjia e talenti juaj do t’Ju bënte të ishit i pëlqyer në të gjithë botën, por kurrsesi të të donin kaq sa të duam ne!

Në ushtrinë tonë të artistëve, dekoratat dhe medaljet të gradojnë Gjeneral, por  kjo e gjitha ka pak vlerë, krahasuar me dashurinë, respektin, krenarinë që i madh dhe i vogël përjeton kur përmendet emri Juaj!

I madhi Robert Ndrenika mos na gjyko, nëse hera herës në ju përmendim me admirim dhe dashuri a thua se të flisnim për njeriun tonë.                                                                                   

Kjo sepse Ju na përkisni edhe neve, Ju i përkisni të gjithë shqiptarëve!

 Me mirënjohje dhe respekt, Lëvizja Rinore për Integrim #LRI vizitë në shtëpinë e gjigandit të kinematografisë dhe skenes Shqiptare: Robert Ndrenika që sot feston 75-vjetorin e tij të lindjes.

Article Logic
Execution time: 0.0024280548095703