Këngëtarja e njohur Ronela Hajati ka qenë një nga figurat e njohura të showbizit shqiptar që ka ndejtur afër njerëzve të prekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin tonë.
Ronela ka njoftuar në llogarinë e saj në ‘Instagram’ se koncerti që do të mbajë ditën e sotme në Dusseldorf së bashku me Fifin do t’i dedikohet familjeve në nevojë nga pasojat e tërmetit.
“Një pjesë e parave do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti plus të ardhurat e mia personale do siguroj që të shkojnë në duar të sigurta. Të bëjmë sa kemi mundësi”, ka shkruar Hajati bashkangjitur fotos së fundit në rrjetet sociale.
Deri më tani Ronela ka publikuar herë pas here postime të ndryshme duke i bërë thirrje të gjithëve të kontribuojnë sado pak për të ndihmuar familjet të cilat janë prekur nga tërmeti, me rroba, batanije, ushqime dhe çdo nevojë tjetër.
Përveç Ronelës, artistë të tjerë të njohur kanë dalë në terren për të parë nga afër gjendjen, duke u përpjekur njëherazi për t’i ndihmuar njerëzit sa më shumë.