Nico Rosberg i ka dhënë fund spekulimeve mbi të ardhmen e tij duke firmosur një kontrate të re e Mercedes që e mban pilotin gjerman me këtë skuadër deri në vitin 2018.
Lajmi do të thotë se Rosberg e Lewis Hamilton do të vazhdojnë të jenë shokë skuadre për të paktën edhe dy sezone të tjera. Kontrata 3-vjeçare të cilën Hamilton e firmosi vitin e kaluar e mban britanikun tek Mercedes deri në fund të 2018-s.
Mercedes publikoi një video në rrjete sociale ku shihet Rosberg dhe shefi i skuadrës, Toto Wolff, duke firmosur kontratën e re pas disa muajsh negociata.
Pavarësisht kërcënimeve në fund të sezonit të kaluar të Wolff se njëri prej pilotëve mund të largohej në rast se nuk ka harmoni në skuadër, Mercedes ka vendosur që të mbajë të dy pilotët dhe të caktojë objektiva të rinj për sezonet në vazhdim.