Piloti i Mercedes, Nico Rosberg ka fituar Çmimin e Madh të Bahreinit, ndjekur nga Ferrari i drejtuar nga Kimi Raikkonen.
Mercedesi ka arritur të ruajë pozitat në krye të klasfikimit të Formula 1. Treshja e podiumit ishte Rosberg, Raikkonen dhe Hamilton.
Që në xhiron njohëse të pistës, pa filluar vërtet rivaliteti, Sebastian Vettel u tërhoq pasi dogji motorin e Ferrarit, por skuadra italiane bëri të vlejë veturën tjetër në pistë.
Nico Rosberg mori fitoren e dytë në po kaq gara dhe vendimtar në këtë sukses ishte starti i Bahreinit, ku gjermani mori kryesimin në dëm të Hamilton duke mos e lëshur më.
Një tjetër nisje për t’u harruar nga britaniku që pasi pati dhe një kontakt me makinën e Bottas, u detyrua të kthente përmbysjen në mision, por mori vetëm pikët e vendit të tretë. Gara e radhës në kampionatin e Formula 1 do të zhvillohet në 17 prill në Kinë.