INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rrëfehet bashkëshortja e “Ballist” Morinës: Muaj makthi, por tani nuk jemi vetëm

Rrëfehet bashkëshortja e “Ballist” Morinës: Muaj makthi, por tani nuk jemi vetëm

Publikuar më: 08:27 14-08-2017

Ismail Morina është ende në Kroaci, duke vazhduar betejën ligjore kundër ekstradimit në Serbi. Bashkëshortja Federika tregon kalvarin e muajve të fundit, e vetme, me dy fëmijë dhe në muajin e gjashtë të shtatzënisë, duke u endur Kroacisë, por tashmë ka ndihmë, sidomos nga FSHF. Në një intervistë për gazetën “Sport Ekspres”, Federika Lo Toro përshkruan edhe gjendjen psikologjike të Ballistit. “Ai ka qenë në tension të jashtëzakonshëm. Edhe telefonatat me ne i kishte të kufizuara, 15 minuta në javë, asnjë më shumë, ndërsa frika e tij më e madhe ishte transferimi në Serbi. Për të, shkelja në Serbi ishte e barabartë me vdekjen”, thotë ajo.

Në këtë intervistë bashkëshortja Lo Toro tregon edhe arsyen pse Ismail Morina u ndalua nga autoritetet kroate, dhe për këtë fajin e ka shtetit shqiptar. Morina prej kohësh jeton në Itali dhe ishte duke udhëtuar për atje, por pa pasaportën shqiptare pasi e ka të bllokuar nga policia vendase. “Gjithçka lidhet me mungesën e pasaportës shqiptare për Ismailin. Atij i është konfiskuar pasaporta nga policia në Shqipëri prej më shumë se një viti e gjysmë. Është realisht një situatë absurde, sepse Ismaili ka thuajse dy vite pa pasaportë dhe kjo tregon se sistemi ka një anomali të madhe, sepse pasaporta nuk përbën ndonjë provë krimi dhe as e ka ndaluar Ismailin të lëvizë për në Itali. Kur u nis në Shqipëri, ai kaloi pa probleme, duke pasur edhe një dokument nga konsullata shqiptare, por në kthim autoritetet kroate në kufi bënë verifikime të tejzgjatura për shkak të mungesës së pasaportës dhe më pas u doli në sistem edhe një urdhër arresti lëshuar nga shteti serb”, thotë bashkëshortja për “Sport Ekspres”, duke shpjeguar se nuk e dinin që Serbia kishte lëshuar urdhër arresti.

Ajo thotë se ka gjetur një mbështetje shumë të madhe nga qeveria shqiptare, por mbi të gjitha nga Federata Shqiptare e Futbollit, ndërsa ka besim se çështja e bashkëshortit të saj do të mbyllet shumë shpejt.

Article Logic
Execution time: 0.0036909580230713