INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rrëfimi i pazakontë i banorëve:  Si jetonim ngjitur me vajzat e prostitucionit online

Rrëfimi i pazakontë i banorëve: Si jetonim ngjitur me vajzat e prostitucionit online

Publikuar më: 11:23 30-04-2016

Banorët e pallatit në një zonë të Tiranës janë shprehur tepër të shqetësuar për atë çfarë kanë zbuluar në pallatin e tyre. Ata jetonin ngjitur me vajza të cilat ushtronin veprimtari prostitucioni online.

Pas zbulimit të këtij aktiviteti dhe hetimit nga policia, banorët në këto zona deklarojnë se janë habitur kur kanë mësuar se fare pranë tyre zhvillohej një aktivitet i paligjshëm dhe për më tepër me vajza që prostituonin online. Banorë të ndryshëm në një pallat pranë qytetit “Studenti” dhe në rrugën “Qemal Stafa” pranë prokurorisë shprehen se këto zona njihen si të qeta dhe nuk janë mësuar me ngjarje kriminale. “Çdo ditë ne kemi hyrë dhe kemi dalë në pallat dhe kemi qëndruar dhe banojmë këtu, por nuk na ka shqetësuar njeri”, deklaron Pjetër Shtjefni.  “Asnjëherë nuk kam dëgjuar dhe as kam shikuar ngjarje të tilla, madje as nuk e kisha menduar që mund të ndodhnin veprimtari të tilla, aq më shumë këtu ku unë jetoj”, thotë banori i pallatit. Sipas tij, vajzat e ushtronin aktivitetin e tyre në mënyrë të fshehtë, saqë edhe pse banojnë afër me hyrjen që ato e kishin marrë me qera, nuk ishin vënë re nga banorët e tjerë. Shtjefni gjithashtu thotë se në hyrjen ku ato kishin marrë me qira një banesë po bëheshin restaurime. Këtë e tregon dhe ambienti jashtë hyrjes, ku përreth kishte qese të mbushura me materiale ndërtimi të prishura. Siç duket kjo mënyrë është përdorur nga qiramarrësit për të mos tërhequr vëmendjen e banorëve të pallatit për aktivitetin që ato ushtronin, dhe njëkohësisht ta përdornin si justifikim restaurimin.

Banorët ndjehen edhe mjaft të revoltuar që kjo ngjarje ka ndodhur në pallatin e tyre. “Po ta merrnim vesh më përpara që ato ushtronin atë aktivitet nuk prisnim policinë, por përdornim metoda të tjera për t’i nxjerrë prej aty, por nuk e kemi konstatuar më përpara që të flisnim apo të vepronim”, shprehen ata për “Shekullin”.  Habi ka shkaktuar zbulimi i bazave të prostitucionit online, ku angazhoheshin vajza të reja, edhe për banorët e një pallati në rrugën “Qemal Stafa”. “

Ndjekje penale për 5 vajza dhe menaxheret

Në kuadër të operacionit të koduar “Hotline”, policia e shtetit arrestoi në kryeqytet vajzat punëtore seksi online. Ato u arrestuan nga policia për veprën penale të “pornografisë” dhe “mbajtjes së lokaleve për prostitucion”. Sipas policisë, vajzat 18-25 vjeçare ishin punësuar në mënyrë të paligjshme nga L. N. dhe F. J., të cilat ishin edhe menaxhere të kompanisë “Adult Work” (Chat line). Sipas burimeve zyrtare të policisë, ato zhvillonin veprimtarinë e tyre të paligjshme kriminale në zonën e Unazës së re pranë “Astirit” dhe në Rrugën e Kavajës.

Aktivitetin e tyre, ato e ushtronin në studio ku punonin në fshehtësi, në lagje të ndryshme të Tiranës, në apartamente. Policia nisi procedimin penal për shtetaset E. Ll., 18 vjeçe, V.V., 22 vjeçe, R. K., 25 vjeçe, L. N., 23 vjeçe dhe F. J., 22 vjeçe, banuese në Tiranë. Policia ndërkohë sekuestroi në cilësinë e provës materiale 7 njësi qëndrore dhe monitorët përkatës, 7 ueb kamera, 10 lodra seksi dhe 3 telefona celular. Sipas policisë, nga hetimi i bërë, ka rezultuar se, shtetaset E. Ll., V. V. dhe R. K., dyshohet se kanë kryer veprimtari te paligjshme “Chat Line”. Këto shtetase ishin punësuar në mënyrë të paligjshme nga shtetaset L. N. dhe F. J., këto të fundit ishin edhe menaxhere të kompanisë “Adult Work” (chat line).

Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të “pornografisë” dhe “mbajtjes së lokaleve për prostitucion”, parashikuar nga Neni 117 dhe 115 i Kodit Penal dhe u lanë në ndjekje të lirë, pasi nuk ka një ligj që e ndalon apo që i lejon të kryejnë veprimtarinë e tyre. Sipas burimeve zyrtare të policisë, vajzat e punësuara në mënyrë të paligjshme nga menaxheret e kompanisë e ushtronin aktivitetin e tyre në zonën e Unazës së re pranë “Astirit” dhe në rrugën e Kavajës. Këto janë vetëm 2 nga adresat e studiove, pasi mendohet që në total janë 14 vende të ndryshme të Tiranës. Në apartamentet ku ato punonin janë paraqitur si persona që do t’i përdornin këto hyrje për banim. Kjo mund të ishte dhe mënyra më e mirë për të marrë banesat me qira dhe për të mos rënë në sy të banorëve.

Article Logic
Execution time: 0.0038928985595703