INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rreth 100 emigrantë nga Libia dyshohen të zhdukur në Detin Mesdhe

Rreth 100 emigrantë nga Libia dyshohen të zhdukur në Detin Mesdhe

Publikuar më: 10:13 15-01-2017

Një tjetër varkë e papërshtatshme për lundrim është mbytur gjatë rrugëtimit nga brigjet e Libisë drejt Italisë përmes Mesdheut.

Sipas Rojes Bregdetare italiane, e cila po zhvillon kërkimet, 8 trupa janë rikuperuar nga ujërat e detit Mesdhe, ndërsa 4 persona janë shpëtuar të gjallë, ndërsa dyshohet për 100 pasagjerë të zhdukur.

Varka është mbytur mes Libisë dhe Italisë, vetëm 30 milje (50 km) larg brigjeve të shtetit afrikan, ndërkohë që errësira i vështirësoi përpjekjet për kërkimin dhe shpëtimin e viktimave.

Në kërkime janë përfshirë një anije detare franceze, dy anije tregtare, teksa ka edhe mbështetje nga ajri. Ende nuk është bërë e ditur kombësia e emigrantëve të përfshirë në tragjedinë më të fundit detare.

Numri i emigrantëve që udhëtojnë drejt Europës nga toka ka rënë që prej pikut të krizës së tyre në fund të vitit 2015, por rrugët e paligjshme detare mbeten ende tejet të synuara dhe tejet të rrezikshme gjithashtu.

Të premten, Roja Bregdetare italiane shpëtoi rreth 550 emigrantë që udhëtonin sërish përmes Mesdheut. Organizata “Mjekët pa kufij” e përfshirë në kërkim-shpëtim tha se në një rast kishte gjetur 123 persona të mbajtur pas një gomoneje, e cila nuk mund të mbushej me ajër.

Më shumë se 1.000 persona kanë mbërritur në Europë përmes detit në dy javët e para të vitit 2017, përllogarit agjencia e OKB-së për refugjatët “UNHCR”. Përpara këtij incidenti, thuhej se 11 persona kishin gjetur vdekjen në këto udhëtime të rrezikshme. Në vitin 2016, ndërkohë, UNHCR-ja njoftoi se 5.000 kishin vdekur në përpjekjet e tyre për të mbërritur në Europë.

Article Logic
Execution time: 0.0020439624786377