INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rriten eksportet në 5 muajt e parë të vitit

Rriten eksportet në 5 muajt e parë të vitit

Publikuar më: 08:08 20-06-2017

Raporti i fundit i Institutit të Statistikave për periudhën janar-maj, flet se shitjet e mallrave jashtë vendit arritën në rreth 111 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 16.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tekstile dhe këpucë vijon të jetë grupi kryesor i eksportuar dhe ka përshpejtuar ritmet e rritjes pas një fillim viti të ngadaltë. Sipas INSTAT eksportet e këtij grupi për 5 mujorin ishin 48 miliardë lekë, me një zgjerim prej 7.5% me bazë vjetore. Eksportet e këtij grupi zinin 43% të totalit, nga 47% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Minerale, lëndë djegëse dhe energji” vijojnë të jetë grupi i dytë më i eksportuar, ndonëse ritmet e rritjes janë ngadalësuar në maj. Për 5 mujorin ky grup u zgjerua me 31.5% në 20 miliardë lekë. Ndryshe nga viti i kaluar, kur ai vuajti ecurinë e dobët të konjukturave ndërkombëtare, mineralet dhe nafta kanë pasur një vit më të mbarë në 2017-n.

Grupi me rritjen më të lartë për 5 mujorin është ai i “materialeve të ndërtimit dhe metaleve”, i nxitur nga eksportet e çimentos por edhe rigjallërimi i aktivitetit të Kurum, (që shpalli procedurat për faliment në shkurt të vitit të kaluar), i cili ka kaluar një pjesë të aktivitetit te kompania Albametal. Ky grup është rritur me 42%, për të arritur në 17.5 miliardë lekë. Grupi “ushqime, pije dhe duhan” është rritur me 15% për 5 mujorin, në 10.9 miliardë lekë, duke përshpejtuar ritmet në maj, kur është shënuar një zgjerim prej 33%.
Pozitivisht ka performuar edhe grupi i “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, me një rritje prej 22% në 5.6 miliardë lekë. Eksportet e makinerive e pajisjeve shënuan një rritje të lartë deri dy vite më parë dhe më pas sektori u ngadalësua ndjeshëm, për t’u rigjallëruar sërish këtë vit.

Article Logic
Execution time: 0.0038719177246094