Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat në lidhje me numrin e personave të infektuar nga pandemia globale COVID-19. Në një deklaratë për mediat, Dr. Marjeta Dervishi, e Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se në 24 orët e fundit janë testuar 233 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19.
"Deri në këto momente janë testuar 3877 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 446 raste. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor. Gjatë 24 orëve të fundit, 20 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 217.
Më tej ajo shtoi se rastet e shëruara i përkasin të gjitha grupmoshave.
"Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 41 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 prej tyre janë të intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar.6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 5 prej tyre pacientë janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 49 pacientë", tregoi Dr. Marjeta Dervishi.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 6 raste, Shkodër 5 raste dhe Durrës me 2 raste. Pjesa më e madhe e rasteve të identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte të rasteve të mëparshme të prekura me COVID-19, ndërkohë që vazhdon procesi hetimit epidemiologjik.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
Tiranë 215 raste
Durrës 41 raste
Lushnje 6 raste
Elbasan 15 raste
Fier 32 raste
Kavajë 8 raste
Rrogozhinë 4 raste
Korçë 17 raste
Vlorë 5 raste
Shkodër 57 raste
Lezhë 14 raste
Berat 2 rast
Has 12 raste
Krujë 6 raste
Tropojë 4 raste
Pukë 5 raste
Mirditë 3 raste
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka kërkuar qytetarëve që të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.
"Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40", tha Dervishi.