INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rritet sërish numri i të infektuarve nga COVID-19, 23 viktima në Shqipëri!

Rritet sërish numri i të infektuarve nga COVID-19, 23 viktima në Shqipëri!

Publikuar më: 11:33 13-04-2020

Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat e 24 orëve të fundit, në lidhje me numrin e qytetarëve, të cilët janë prekur nga pandemia globale e COVID-19 në Shqipëri. Me anë të një deklarate për mediat, drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico theksoi se gjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar 21 raste të reja, duke e çuar numrin total të të prekurve në vend në 467.

"Në 24 orëshin që lamë pas ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.Dje janë testuar 193 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 21 raste të reja me COVID-19, nga të cilët 1 personel shëndetësor dhe dy fëmijë asimptomatikë.Deri në këto momente janë testuar 4070 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 467 raste. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor", tha Fico.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë, në orët e fundit janë shëruar 15 pacientë të tjerë, ndërkohë numri totali i të shëruarve ka arritur në 232 persona. Aktulisht në dy spitalet COVID në Shqipëri janë të shtruar dhe po marrim mjekim 52 pacientë.

"Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 232. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 43 të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 prej tyre janë të intubuar.Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 5 prej tyre janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 52 pacientë", shtoi ajo.

Zonja Fico theksoi se harta e të prekurve nga COVID-19 është zgjeruar në Tiranë me 6 raste, Shkodër 13 raste, Durrës me 1 rast dhe në Has një 1 rast. Këto raste të identifikuar në 24 orët e fundit janë kontakte të rasteve të mëparshme të prekura me COVID-19, ndërkohë që vazhdon procesi hetimit epidemiologjik në terren.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive

- Tiranë 221 raste

- Durrës 42 raste

- Lushnje 6 raste

- Elbasan 15 raste

- Fier 32 raste

- Kavajë 8 raste

- Rrogozhinë 4 raste

- Korçë 17 raste

- Vlorë 5 raste

- Shkodër 70 raste

- Lezhë 14 raste

- Berat 2 rast

- Has 13 raste

- Krujë 6 raste

-Tropojë 4 raste

- Pukë 5 raste

- Mirditë 3 raste.

Zonja Fico apeloi te qytetarët që në rast se kanë shenja apo simptoma të COVID-19 të telefonojnë në numrat 127 dhe në numrin e gjelbër 0800 40 40.

"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Zgjerimi i fashës orare të lëvizjes është një lehtësim që kërkon përgjegjësi nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit, ruajtjen e higjienës personale. Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhen të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40", përfundoi Fico.

Article Logic
Execution time: 0.0041999816894531