INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Rritja e taksës ul numrin e blerjeve online [VIDEO]

Publikuar më: 09:06 30-05-2017

Blerjet online janë ulur dukshëm në katër mujorin e parë të këtij viti. E kjo me shumë të ngjarë lidhet me faktin se është rritur taksa. Sipas të dhënave të INSTAT, transporti i mallrave me postë shënoi një rënie vjetore me 13 për qind në janar-prill 2017. Nga të dhënat mësohet se në katërmujorin e parë të vitit u transportuan me postë 146 tonë mallra nga 169 tonë që u transportuan më 2016.
Në gusht të vitit të kaluar hyri në fuqi një vendim me të cilin blerjet online mbi 22 euro paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë, taksimi fillon nga kufiri 45 euro. Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit që përbëhet nga 20% TVSH dhe 2.4% taksa doganore. Me këtë vendim të gjitha blerjet mbi 22 euro dhe dhuratat e dërgesat nga jashtë mbi 45 euro, çmimet u shtrenjtuan. Kufiri mbi të cilin paguhen taksa është ulur ndjeshëm.
Ulja e kufirit për blerjet online ka shkaktuar pakënaqësi e reagime të shumta tek konsumatorët, të cilët gjithnjë e më shumë i ishin drejtuar kësaj alternative, si një zgjidhje për të blerë mallra cilësore me çmime të pranueshme.
Ky vendim i qeverisë duket se ka dhënë edhe efektet negative zinxhir edhe tek bizneset. Aktiviteti i postave në transportin e mallrave ka rënë me ritme dyshifrore këtë vit.

Article Logic
Execution time: 0.0036909580230713