INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rrjedhja e votave për Ruçin, Berisha kritikon të rinjtë

Rrjedhja e votave për Ruçin, Berisha kritikon të rinjtë

Publikuar më: 08:36 11-09-2017

Rrjedhja e votave në votimin e kryetarit të Parlamentit, Gramoz Ruçi, bëri që demokratët të mbledhin grupin Parlamentar për të dalë në një qëndrim.

IN TV mëson se debatet në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit nuk kanë munguar, ku zëri më kritik ka qënë ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili mësohet të ketë thënë se “grupi i PD nuk duhet të falë atë që nguli thikën pas shpine”, duke i cilësuar votat për Ruçin një tradhëti.

Burimet nga mbledhja thonë se Sali Berisha ka kërkuar “prova për të qënë sa më seriozë”. “Por, ata që kanë votuar pro Ruçit, duhet ta dinë se ne i dënojmë”, është shprehur ai.

Kritikat e Berishës kanë shkuar për dy prej drejtuesve më të rinj të grupit parlamentar, Ervin Salianji dhe Grida Duma, për të cilët ish-Kryeministri, siç thonë burimet ka kërkuar që të qëndrojnë besnikë të vendimit të grupit, që të mos prononcohen pa mbledhjen e këtij të fundit.

Berisha ka patur një përgjigje edhe për deklaratat se ka patur manipulim të Komisionit, kur mësohet të ketë thënë se “në 27 vjet kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë, ndryshe nga shitblerja e deputetëve, në gati 50 raste”.

Ish-Kryeministri ka kërkuar në fund të debatit dënim dhe masa për ata që një ditë më parë shkelën vendimin e grupit dhe në një zë me të ka qënë në qëndrim edhe kryetari Basha.

Burimet thonë se Basha ka qënë i qartë kur është shprehur se “kush shet votën, nuk ka vend në PD”, ndërsa ka pranuar se mosvendosja e një anëtari në Komisionin Zgjedhor ishte një gabim.

Kreu i PD mësohet gjithashtu të jetë shprehur në mbledhje se hapin e parë në krye të Parlamentit, Gramoz Ruçi e bën si mafioz.

I pari qe u largua nga mbledhja ishte Sali Berisha, ndërsa i fundit që la selinë, Lulzim Basha.

Ndërkaq, përmes një deklarate shpërndarë nga zyra e shtypit, grupi i PD zyrtarizoi qëndrimin për atë që ndodhi të shtunën, duke e dënuar atë veprim, por duke lënë ende të hapur faktin nëse ka qenë manipulim, apo rrjedhje votash.

Në deklaratë bëhet e qartë se kush shet votën nuk do të ketë vend në grup. Rrjedhjen e votave, grupi e cilësoi një skenar të qëllimshëm që të heqë vëmendjen nga zgjedhja në krye të kuvendit të Gramoz Ruçit.

Gjatë pasdites, krerët e komisioneve dhe deputetët përkatës janë mbledhur sërish, ku janë vendosur piketat për fjalimet që do të mbahen gjatë seancës të së hënës, në të cilën janë parashikuar të marrin fjalën të gjithë ligjvënësit e Partisë Demokratike.

Article Logic
Execution time: 0.0037319660186768