INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rrjetet sociale, pjesë e hidhur e realitetit tonë

Rrjetet sociale, pjesë e hidhur e realitetit tonë

Publikuar më: 21:37 12-02-2017

Nga Edison Çejku


Çdo ditë e më tepër ndjejmë se ne, qeniet sociale, trysnohemi për të mos qenë “të tillë”. Në njëfarë mënyrë nuk na lejohet të jemi unik, siç pretendohet se jemi. Të gjithë kemi nga një pajisje elektronike në duart tona, përdorim minimumi të paktën një rrjet social, e ky i fundit merr nga ne një element shumë të rëndësishëm, të pakthyeshëm, që quhet KOHË. Kohë që të dukemi bukur, kohë që të shfaqemi pozitiv, kohë që t’u bëjmë përshtypje të tjerëve, kohë për t’u “projektuar” ashtu siç do të donim të ishim. Në thelb e gjitha kjo paradë apo estradë, të konsumon, të ngarkon e të rëndon psikologjikisht.

Të bën të harrosh se ke një jetë reale, “të detyron”, të eleminosh njerëzit që ke përballë, ata që ke pranë, dhe ata që kanë nevojë për praninë tënde... jo vetëm fizike. Fundja kujt do t’i duhej një trup pa shpirt?!
Si mund të jetë i lumtur një individ kur çdo energji dhe përpjekje e konsumon në dobi të njejtësimit me masën, kur ekziston vetëm një model i së bukurës. Kur kjo e bukur ka prirjen të shihet si e mira më e madhe e mundshme e gjithë shoqërisë. Nuk e pyesim asnjëherë veten, “Si ndihemi me këtë mënyrë jetese?”. Jemi shndërruar në qenie të izoluara, të veçuara, secili në dritaren e vet individuale.
Kjo dëshirë për të qenë të pëlqyeshëm, ka krijuar një uniformë, që secili nga ne duhet ta veshë për t’u ndjerë i pranuar. Si pasojë, ky uniformitet ka sjellë humbjen e interesit për aktivitete të çfarëdo lloji e natyre, ka minimizuar në ekstrem kënaqësinë që marrim nga gjithçka që bëjmë.

Fjalët e shprehura, bashkëlidhur me gjuhën e trupit ngjasojnë me rëndësinë që ka praktika në mbështetje të teorisë. Por, edhe këtë mundësi, komunikimi virtual na e mohon. Na mbush plot paqartësi, pyetje, iluzione, të cilat ne kemi mundësi t’i krijojmë (sipas qasjes sonë individuale), t’i formësojmë e me shumë vështirësi t’i zhbëjmë.

Komunikimi social po shkatërrohet në çdo qelizë, rregullat gramatikore pothuajse nuk vendosen në përdorim, fjalët me shkurtime kanë zaptuar trurin tonë dhe nivelet e leximit kanë rënë ndjeshëm(parë kjo në shumë prej studimeve të viteve të fundit). Shohim një lidhje të pashmangshme, jetike, shkak-pasojë; lexim i pakët, i barabartë me frymëzim të ulët.

Përfundimi?! Varfërim i fjalorit, mungesë përqëndrimi, mungesë interesi, shkëputje, izolim, veçim. Kufiri mes të dobishmes dhe të padobishmes është tepër i hollë. Gjithçka mund të jetë e dobishme dhe frytdhënëse nëse jemi të aftë ta përdorim në favorin tonë.

Article Logic
Execution time: 0.0041370391845703