Parkimet e gabuara kanë qenë fokus të aksionit të policisë rrugore të Tiranës pas ankesave të shtuara rreth kësaj problematike në disa lagje të kryeqytetit.
Efektivët e Policisë Rrugore sot janë ndalur në Njësinë Administrative Nr.7, ku nga kontrollet në brendësi të kësaj njësie janë evidentuar dhe ndëshkuar 35 mjete, të cilat janë konstatuar të parkuara gabim ose jo në përputhje me sinjalizimin rrugor.
Gjithashtu kontrollet kane vijuar edhe në disa rrugë të tjera urbane, në lidhje me shqetësimet dhe ankesat kryesisht për drejtuesit e mjeteve që parakalojnë në afërsi të kryqëzimeve duke u bërë burim i shtuar për aksidente rrugore. 17 drejtues janë ndëshkuar në rrugën “Jordan Misja”. Kontrollet dhe masat administrative do të vijojnë, ku prezenca më e madhe do të jetë në sheshet kryesore ku zhvillohen aktivitetet sociale, kulturore dhe sportive të planifikuara gjatë fundjavës.