Të rinjtë nga e gjithë bota ishin të ftuarit e veçantë të yllit të Barcelonës Neymar Junior në vendlindjen e tij në Praia Grande të Brazilit për të sfiduar njër-tjetrin në një turne “futbolli rruge”.
Ndeshjte 5 kundër 5, si ato të cilat lojtari brazilian luante në fëmijërinë e tij, ai i solli edhe për të rinjtë e talentuar në formën e një turneu. Në Neymar Jr’s Five World Final 2017 u përfaqësua edhe Shqipëria, për të dytin vitë rresht, këtë herë me ekipin “Vlora Team”. Ata u shpallën kampionë më 17 qershor në Finalen Kombëtare të këtij turneu, e cila u zhvillua në Sheshin Skënderbej në Tiranë. Megjithatë, të rinjtë e talentuar nga Vlora nuk mundën të kualifikohen nga grupi, ku u ndeshën me ekipet e Nigerisë, Japonisë, Gjermanisë, Kuvajtit dhe Lituanisë, por sërish ngritën lart flamurin shqiptar me dinjitet.
Konkurrenca ishte shumë e fortë, me mbi 100 mijë lojtarë nga 53 shtete, të cilët sfiduan njëri-tjetrin për trofeun e madh që në fund u fitua nga Rumania. Ballkanasit mundën Anglinë në finale, duke fituar dhe mundësinë unike për të luajtur një ndeshje miqësore kundër ekipit që Neymar kishte krijuar me miqtë e tij, ku përfshiheshin emra si futbollisti i Manchester City Gabriel Jesus dhe ish lojtari i kombëtares franceze Djibril Cisse.
Kampionati i futbollit “Neymar Jr’s Five” ishte konceptuar në mënyrë unike për të risjellë futbollin e rrugës që kampioni i kombëtares braziliane praktikonte dikur në fëmijëri. Ndeshjet u zhvilluan në ekipe me nga 5 lojtarë, dhe sa herë që një ekip shëntonte, kundërshtarët e tyre humbisnin një lojtar. Një turne sa spektakolar, aq edhe i rrallë.