Leo Messi ka fituar shumë çmime individuale dhe trofe me ekipin e tij të Barcelonës, për të cilën ka debutuar që në moshë të vogël dhe vazhdon t’i qëndrojë besnik deri në ditët e sotme.
Argjentinasi së bashku me Cristiano Ronaldon, konsiderohen si lojtarët më të mirë të futbollit bashkëkohor. Super ylli i katalanasve ka arritur të fitojë një shumë të madhe të ardhurash, si nga paga sezonale si futbollist, ashtu edhe nga reklamat apo investimet e ndryshme.
Sipas “Celebrity Net Worth”, Lionel Messi ka një pasuri prej afro 340 milionë dollarësh (276 milionë euro). Aktualisht “pleshti” me rinovimin e kontratës tek Barcelona në nëntor të vitit të kaluar, arrin të përfitojë një pagë prej 44.68 milionë dollarësh (36 milionë euro) në vit.
Të ardhurat e vetme të argjentinasit nuk janë vetëm nga futbolli, pasi 30-vjeçari përfiton shuma të mëdha parash edhe nga reklamat me markat më të njohura në mbarë botën, si Adidas, Pepsi, Dolce&Gabbana dhe Air Europa. Një pjesë tjetër të ardhurash, Messi arrin ti sigurojë nga investimet dhe nga aksionet e disa bizneseve në Argjentinë.
Messi është aktualisht futbollisti i dytë në botë për sa i përket përfitimeve vjetore, të cilat mendohet se shkojnë rreth 65 milionë euro. Vendin e parë e mban Cristiano Ronaldo me një vlerë prej 75.4 milionë eurosh të përfituara gjatë vitit 2017.
Messi është i martuar me të dashurën e tij që nga fëmijëria, Antonella Roccuzzo, me të cilën ka 2 fëmijë dhe janë në pritje të fëmijës së tretë.